Kriza në Ceuta, vala e emigrantëve që tronditi marrëdhëniet Spanjë-Marok!

09:38 | 3 Gusht 2026
E.G

Vala e fundit e emigrantëve drejt Ceutës, enklavës spanjolle në brigjet e Afrikës së Veriut, ka rikthyer në qendër të vëmendjes marrëdhëniet e ndërlikuara mes Spanjës dhe Marokut.

Ende mbetet e paqartë se çfarë e shkaktoi fluksin masiv të rreth 50 mijë personave nga qyteti maroken i Fnidek drejt territorit spanjoll më 30 dhe 31 korrik, ndërsa pothuajse të gjithë u riatdhesuan brenda më pak se 24 orësh.

Shoqata Marokene për të Drejtat e Njeriut (AMDH) ka kërkuar një hetim të pavarur për ngjarjen, e cila, sipas saj, la të paktën 72 emigrantë të vdekur. Organizata kërkon zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në një nga episodet më dramatike të viteve të fundit në kufirin mes dy vendeve.

Analistët e shohin krizën si vazhdimësi të një historie të gjatë tensionesh mes Madridit dhe Rabatit. Që nga nënshkrimi i Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit në vitin 1991, marrëdhëniet mes dy vendeve janë luhatur mes bashkëpunimit dhe përplasjeve diplomatike.

Një nga pikat më të ndjeshme mbetet çështja e Saharasë Perëndimore. Në vitin 2022, qeveria e Pedro Sánchez mbështeti planin maroken për autonominë e territorit, duke ndryshuar politikën tradicionale të neutralitetit të Spanjës. Ky qëndrim përmirësoi raportet me Rabatin, por shkaktoi tensione me Algjerinë.

Ekspertët besojnë se kriza e fundit mund të jetë ndikuar edhe nga zhvillime të tjera. Mes tyre përmendet vendimi i Gjykatës Supreme të Spanjës, i cili kufizon kthimet automatike të emigrantëve që mbërrijnë nga deti, si dhe vizita e fundit e kryeministrit Pedro Sánchez në Algjeri.

Pas fluksit të emigrantëve, autoritetet spanjolle vendosën barriera lundruese përgjatë vijës bregdetare të Ceutës për të forcuar kontrollin kufitar dhe për të penguar kalime të reja.

Pavarësisht dyshimeve se Rabati mund të ketë përdorur migracionin si mjet presioni politik, qeveria spanjolle ka shmangur akuzat publike ndaj Marokut, duke vlerësuar se ruajtja e marrëdhënieve të mira është thelbësore, veçanërisht në prag të organizimit të Kupës së Botës 2030 nga Spanja, Maroku dhe Portugalia.

Ndërkohë, kriza ka rikthyer në debat edhe statusin e Ceutës dhe Melillës, dy enklavave spanjolle në Afrikën e Veriut, të cilat Maroku i konsideron pjesë të territorit të tij.
Analistët paralajmërojnë se, edhe pse bashkëpunimi mes dy vendeve mbetet i domosdoshëm, mosmarrëveshjet historike vazhdojnë të përbëjnë një burim të vazhdueshëm tensioni.