Google ADS

SHBA/ Guvernatorja e Arizonës firmos shfuqizimin e ligjit të vitit 1864 kundër abortit

16:53 | 3 Maj 2024
R J

Guvernatorja demokrate e Arizonës, Katie Hobbs, ka shfuqizuar një masë ndalimi të periudhës së Luftës Civile ndaj pjesës më të madhe të aborteve, duke nënshkruar të enjten një ligj për anulimin e kësaj mase.

Guvernatorja Hobbs thotë se ky është vetëm fillimi i hapave në përpjekjen për të mbrojtur kujdesin shëndetësor për riprodhimin në Arizona. Ekziston mundësia sidoqoftë që shfuqizimi të hyjë në fuqi vetëm 90 ditë pasi të ketë përfunduar sesioni i tanishëm legjislativ, në muajt qershor-korrik. Aktivistët e së drejtës së abortit shpresojnë që gjykata do të gjejë mekanizmin për ta shmangur këtë vonesë.

Përpjekjet për të shfuqizuar ligjin që nuk ishte përdorur prej kohësh, sipas të cilit ndaloheshin të gjitha abortet, përveç atyre të bëra për të shpëtuar jetën e pacientit, mori miratimin përfundimtar nga legjislativi të mërkurën, me një votim 16 me 14 në senatin e Arizonës, me dy senatorë republikanë që iu bashkuan votës së demokratëve.

Guvenatorja Hobbs e kritikoi ligjin ndalues që “ishte miratuar nga 27 burra kur Arizona ende nuk ishte bërë shtet, në një periudhë kur Amerika gjendej në luftë mbi të drejtën për të patur skllevër, në një periudhë kur gratë as nuk mund të votonin”.

Shpërndaje në rrjete sociale