Rusia të martën i paralajmëroi Shtetet e Bashkuara që të sigurohen që luftanijet amerikane të qëndrojnë goxha larg Krimesë “për të mirën e tyre”, duke e cilësuar dërgimin e tyre në Detin e Zi si provokim për t’i testuar nervat e Rusisë.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Ryabkov, u citua të ketë thënë nga agjencitë ruse të lajmeve të martën që luftanijet e ShBA-së në Detin e Zi duhet ta mbajnë distancën, duke shtuar se rreziku për incidente të paspecifikuara është shumë i lartë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
“Nuk ka absolutisht asgjë që anijet amerikane të bëjnë afër brigjeve tona, ky është një veprim i pastër provokues, provokues në kuptimin e drejtpërdrejt të fjalës. Ata po e testojnë fuqinë tonë, po luajnë me nervat tona. Nuk do të kenë sukses”, citohet të ketë deklaruar Ryabkov.
“I paralajmërojmë Shtetet e Bashkuara se do të jetë më mirë për to që të qëndrojnë larg Krimesë dhe bregut tonë në Detin e Zi. Do të jetë për të mirën e tyre”, shtoi ai.
Rusia e aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, ndërsa dy luftanije amerikane pritet të arrijnë në Detin e Zi këtë javë, në kohën e eskalimit të tensioneve në luftimet që po zhvillohen në lindje të Ukrainës, ku forcat qeveritare po përballen me separatistët e përkrahur nga Moska.
Dërgimi i luftanijeve amerikane në Detin e Zi vjen në kohën kur Perëndimi e ka ngritur alarmin për atë që thotë se është një grumbullim i madh dhe i pashpjegueshëm i forcave ruse afër kufirit lindor të Ukrainës dhe në Krime. Rusia ka thënë se i lëviz forcat e veta ashtu si e sheh të arsyeshme dhe për qëllime të mbrojtjes.
Pentagoi ka refuzuar ta komentojë dërgimin e luftanijeve në Detin e Zi, duke thënë që ushtria amerikane e bën një gjë të tillë në mënyrë rutinore në atë rajon.
Kurti: Demonstratat e vitit 1981, ndër ngjarjet kyçe në hist...
Gjendet Alush Kastrati, 80 vjeçari që ishte zhdukur tash e k...
“Mbyllja e TikTok, kufizim i lirisë së shprehjes dhe shtypit...
FIFA ul buxhetin për Botërorin 2026 me mbi 100 milionë dolla...
Hera e gjashtë në histori/ Agjencia Ndërkombëtare e Energjis...
Arrestohen në flagrancë dy të dyshuar për fajde, i kërkonin ...