Një mjeke brenda Iranit i ka thënë Radios Farda të Radios Evropa e Lirë (REL) se forcat e sigurisë kanë bastisur spitalet dhe kanë vrarë protestues të plagosur, në vazhdën e shtypjes brutale të protestave mbarëkombëtare kundër regjimit.
Mjekja, e cila tha se punon në një spital në jug të Iranit, theksoi se anëtarë të forcave të sigurisë iraniane kishin “vrarë” protestuesit që ishin shtruar në spital për shërim.
“Ata vranë shumë [demonstrues], arrestuan shumë prej tyre, ndërsa shumë të tjerë janë në arrati”, tha mjekja, e cila foli për Radion Farda në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes.
“Gjendja është shumë e rëndë”, shtoi ajo.
REL-i nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e mjekes.
Autoritetet e kanë ndalur internetin dhe i kanë bllokuar linjat telefonike, por kanë dalë dëshmi nga dëshmitarë okularë që tregojnë se shteti po zhvillon një nga goditjet më vdekjeprurëse ndonjëherë kundër protestuesve në rrugë.
Të paktën 648 njerëz, kryesisht protestues, janë vrarë që nga shpërthimi i protestave më 28 dhjetor, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, të cilat druhen se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë mijëra sosh.
Forcat e sigurisë iraniane kanë përdorur forcë brutale, përfshirë qitjen me municion të vërtetë ndaj protestuesve, sipas videove të verifikuara nga REL-i dhe dëshmive të dëshmitarëve okularë.
“Po i vrasin të gjithë”
Spitalet në gjithë Iranin janë mbushur me të vdekur dhe të plagosur, sipas mjekëve dhe infermierëve brenda vendit me rreth 92 milionë banorë.
“Është një situatë e tmerrshme, pothuajse gjithçka është e mbyllur”, i tha Radios Farda një infermiere që jeton në kryeqytet, Teheran.
“Ka shumë njerëz me dëmtime në sy. Njerëzit thonë se nuk e duan këtë regjim. Po i vrasin të gjithë”, shtoi ajo.
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar përdorimin e fishekëve metalikë të shtënë nga armë gjahu. Forcat e sigurisë shënjestrojnë qëllimisht sytë dhe kokat e protestuesve.
Mjekja në jug të Iranit tha se protestat janë “zbehur” pasi autoritetet nisën një goditje në shkallë të gjerë në qytetet kryesore, përfshirë Teheranin, më 8 dhe 9 janar.
Protestat u nxitën nga inflacioni i madh dhe rënia e lirë e monedhës kombëtare, por më pas janë shndërruar në kërcënimin më të madh për sundimtarët klerikalë të Iranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Një burrë në qytetin e Karajit, pranë Teheranit, tha se kishte parë forcat e sigurisë duke qëlluar drejtpërdrejt ndaj protestuesve.
“Pashë të gjithë ata që po vraponin, po binin përtokë, [forcat e sigurisë] po qëllonin”, tha burri, i cili foli për Radion Farda në kushte anonimiteti. “Nuk e di çfarë lloj municioni po përdornin, por tingëllonte si municion i vërtetë”.
Ai tha se forcat e sigurisë i grumbullonin protestuesit e vdekur në kamionë dhe largoheshin me ta.
“Nuk u interesonte kush ishin këta njerëz”, shtoi ai. “U ktheva në shtëpi dhe gruaja më pyeti nëse po qaja nga gazi lotsjellës. I thashë se po qaja për të rinjtë [e vrarë]”.
Arratisja e Altin Ndocit/ Arrestohen 8 persona, mes tyre efe...
Rinumërohen 23 vendvotimet e para nga 914 vendvotime
Reagim i ashpër nga Bellingham – mohon konfliktin me A...
Real Madridi nis sonte një epokë të re pas shkarkimit të Xab...
Fillon takimi Osmani-Sorensen
Seanca e parë për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika caktohet...