Ministri i Energjisë i Izraelit, Israel Katz, ka thënë të enjten se rrethimi i Rripit të Gazës nuk do të përfundojë derisa Hamasi t’i lirojë të gjitha pengjet izraelite.
“Furnizimi me rrymë nuk do të bëhet, uji nuk do të lëshohet e asnjë kampion me karburante nuk do të futet” në Gaza derisa të lirohen pengjet, tha Katz në rrjetet sociale.
Izraeli e nisi rrethimin e Rripit të Gazës të hënën, dy ditë pasi militantët e Hamasit i thyen karrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit për ta kryer njërin prej sulmeve më vdekjeprurëse në historinë e Izraelit.
Së paku 150 pengje u dërguan në Gaza gjatë sulmit të Hamasit në fundjavë, ku mbetën të vrarë mbi 1.200 izraelitë.
Të mërkurën, termocentrali i vetëm në Gaza mbeti pa karburant, që do të thotë se enklava me rreth 2.3 milionë banorë tani varet plotësisht nga gjeneratorët për furnizim me rrymë.
Ushtria izraelite është duke e bombarduar Gazën që nga dita e hënë, duke bërë që rreth 1.200 palestinezë të vriten gjatë kësaj periudhe.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i bëri thirrje të mërkurën Izraelit t’u përmbahet rregullave të luftës, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua për ta shkatërruar Hamasin.
Biden tha se bisedoi të mërkurën me Netanyahun, për të cilin tha se e njeh për më shumë se 40 vjet dhe se me të ka “marrëdhënie shumë të sinqerta. E njoh shumë mirë atë”.
“Një gjë që ia thashë është se për Izraelin është shumë e rëndësishme, pavarësisht zemërimit dhe tërbimit që ekziston, të veprojë sipas rregullave të luftës”, tha Biden.
“Dhe, rregulla të luftës ka”, shtoi ai./rel
Policia jep detaje për rastin në Llaushë të Skenderajt, vikt...
Një muaj paraburgim ndaj pejanit për shitje dhe blerje të na...
Kriza me derivate, ndërmarrja “Trepça” ndan 400 mijë euro pë...
Alarmon shoqata e qumështarëve: Jemi në një situatë alarmant...
Azemi: Punëtorët teknik dhe fizik të Prishtinës kërkojnë pag...
“Një qytetërim i tërë do të vdesë sonte”, Trump kërcënon sër...