Mbi 3500 mësues protestojnë në Ankara pas sulmeve në shkolla

12:49 | 16 Prill 2026
E.K

Vetëm një ditë më parë, një 14-vjeçar u mori jetën nëntë personave, tetë prej të cilëve fëmijë të moshës 10 dhe 11 vjeç, dhe plagosi 13 të tjerë në një institucion arsimor në provincën Kahramanmaras, në jug të vendit.

“Nuk ia dorëzojmë shkollat dhunës”, ishte një nga pankartat që spikaste gjatë protestës.

Autoritetet bëjnë me dije se autori i ngjarjes së të mërkurës, djali i një ish-oficeri policie, kishte kohë që planifikonte sulmin. Nga të dhënat e gjetura në kompjuterin e tij, rezulton se ai ishte frymëzuar nga 22-vjeçari amerikan Elliot Rodger, i cili vrau gjashtë persona dhe më pas veten në vitin 2014, pasi ishte refuzuar nga gratë.

Autoritetet gjithashtu bëjnë të ditur se 14-vjeçari humbi jetën në vendngjarje, ndërsa nuk është ende e qartë se si ndodhi kjo.

Policia ka ndaluar babanë e tij, nënën, si dhe një mësues.

Një ngjarje e ngjashme ndodhi të martën në provincën Sanliurfa, ku një ish-student hapi zjarr ndaj nxënësve të një shkolle të mesme, duke plagosur 16 persona, dhe më pas vrau veten.

Në kuadër të masave për parandalimin e ngjarjeve të ngjashme, autoritetet turke kanë ndaluar 83 persona, ndërsa janë bllokuar qindra llogari dhe grupe në rrjetet sociale që lavdëronin këto sulme.

“Janë lëshuar dhe zbatuar urdhërarreste për 83 individë që janë angazhuar në postime dhe aktivitete ku lavdëroheshin krimi dhe kriminelët, duke ndikuar në rendin publik”, thuhet në një njoftim të policisë turke.

Shpërndaje në rrjete sociale