Makina përplaset me turmën në Gjermani, 2 viktima dhe 22 të plagosur

14:15 | 5 Maj 2026
E.K

Dy persona humbën jetën dhe 22 të tjerë mbetën të plagosur pasi një automjet u përplas me një turmë njerëzish në qytetin lindor gjerman Leipzig.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi në zonën qendrore Grimmaische Straße, ku një makinë goditi disa persona përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes. Më vonë, autori i dyshuar u arrestua.

Kryebashkiaku i qytetit, Burkhard Jung, bëri të ditur se i dyshuari është një shtetas gjerman 33-vjeçar, ndërsa motivi i ngjarjes mbetet ende i paqartë.

Nga të dhënat paraprake, tre prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë. Ndërkohë, autoritetet konfirmuan se viktimat janë një grua 63-vjeçare dhe një burrë 77-vjeçar, të dy shtetas gjermanë.

Kreu i landit të Saksonisë, Michael Kretschmer, deklaroi se i dyshuari kishte histori të mëparshme të problemeve të shëndetit mendor.

“Jemi thellësisht të tronditur nga ajo që ka ndodhur. Një burrë drejtoi makinën me shpejtësi të lartë në një zonë tregtare. Aktualisht po mbajmë zi për dy viktima dhe për të plagosurit”, tha Jung, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të rëndë dhune.

Policia theksoi se bëhet fjalë për një incident të izoluar dhe se nuk ka indikacione për një kërcënim të vazhdueshëm ndaj sigurisë publike. Hetimet vijojnë, ndërsa i dyshuari po hetohet për vrasje dhe tentativë vrasjeje.