Lufta me Rusinë, Zelensky: Plani i paqes për Ukrainën është 90 për qind gati

18:07 | 1 Janar 2026
E.K

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij për Vitin e Ri deklaroi se një marrëveshje potenciale paqeje për të ndalur luftën e Rusisë në Ukrainë është 90% e gatshme.

“10% mbetet… dhe ato 10% përmbajnë në fakt gjithçka” tha ai në një fjalim 20-minutësh, i cili u përqendrua te lufta që në 2026 hyn në vitin e saj të pestë.

Zelenskyy theksoi se pozicioni i Ukrainës është dëgjuar ndërkombëtarisht, por ende nuk është pranuar plotësisht.

“A janë dëgjuar argumentet tona? Shpresojmë shumë. A kanë rënë dakord me ne? Jo plotësisht. Ende jo. Kjo është arsyeja pse, për momentin, flasim për 90%, jo 100% gatishmëri të marrëveshjes së paqes” shtoi ai.

Ai nënvizoi se do të nënshkruajë vetëm një marrëveshje të fortë, sepse një marrëveshje e dobët “do të ushqejë vetëm luftën”.

“Çfarë dëshiron Ukraina? Paqe? Po. Me çdo çmim? Jo. Ne duam fundin e luftës – jo fundin e Ukrainës,” deklaroi presidenti.

Zelensky falënderoi pothuajse të gjitha vendet evropiane për mbështetjen, duke i përmendur individualisht, por nuk përmendi Hungarinë.

Duke iu referuar qëndrimit të Budapestit ndaj pushtimit rus, ai tha se “një letër në stilin e Budapestit nuk do ta kënaqë Ukrainën”.

Për presidentin amerikan Donald Trump, Zelenskyy tha se “presidenti i SHBA-së përmend gjithmonë popullin tonë dhe flet se sa trimërisht po luftojnë ukrainasit”

Ai pranoi se ukrainasit janë “të lodhur”, por “nuk janë gati të dorëzohen”.

Zelensky paralajmëroi se pretendimi i Putinit se tërheqja e Kievit nga Donbasi do t’i jepte fund luftës është thjesht mashtrim.

“Kështu tingëllon mashtrimi kur përkthehet nga rusishtja… A ka ende njeri që u beson atyre? Fatkeqësisht po. Sepse shpesh e vërteta ende shmanget dhe quhet diplomaci, ndërkohë që në realitet është thjesht gënjeshtra me kostum”, ka theksuar Zelensky.

Presidenti ukrainas përsëriti qëndrimin e tij për përfundimin e konfliktit: “Ose bota ndalon luftën e Rusisë, ose Rusia e tërheq botën në luftën e saj.”

Ndërkohë, Rusia nisi një sulm tjetër masiv me drone gjatë natës së Vitit të Ri, duke përdorur më shumë se 200 drone sulmuese, sipas Zelenskyyt. Shumica u rrëzuan, por goditje pati në rajonet Volyn, Rivne, Zaporizhzhia, Odesa, Sumy, Kharkiv dhe Chernihiv.