Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka deklaruar qartë se territori arktik nuk është për shitje dhe nuk dëshiron të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara. Duke folur pas kryeministres daneze Mette Frederiksen, Nielsen theksoi se nëse Groenlanda do të duhej të zgjidhte, “do të zgjidhte Danimarkën mbi SHBA-të.”
“Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë. Groenlanda nuk dëshiron të zotërohet nga SHBA-të, nuk dëshiron të qeveriset nga SHBA-të, nuk dëshiron të bëhet pjesë e SHBA-ve. Ne zgjedhim Groenlandën që njohim sot, e cila është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.”, tha Nielsen këtë të martë, citon The Guardian.
Ndërkohë, një zyrtar i qeverisë daneze ka konfirmuar se Danimarka i ka ofruar mbështetje SHBA-ve në kapjen e një cisterne nafte që shkelte sanksionet amerikane. Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, nuk dha detaje mbi natyrën e mbështetjes.
Ky informacion vjen në një kohë kur tensionet mes aleatëve të NATO-s janë rritur, pasi presidenti Donald Trump ka rinovuar thirrjet për marrjen e Groenlandës nën kontrollin amerikan.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u pyet disa herë nga eurodeputetë danezë mbi retorikën e SHBA-ve për Groenlandën. Ai refuzoi të komentonte drejtpërdrejt, duke theksuar se roli i tij është të zgjidhë çështjet brenda aleancës dhe jo të ndërhyjë publikisht në debatet mes aleatëve.
Rutte kujtoi se Trump kishte ngritur çështjen e sigurisë në arktik që gjatë mandatit të tij të parë, duke paralajmëruar për rritjen e aktivitetit rus dhe kinez në rajon. Ai nënvizoi se NATO është e bashkuar për mbrojtjen e Arktikut dhe se diskutimet për hapat e ardhshëm do të vazhdojnë në javët e ardhshme.
Po ashtu, Rutte pranoi se Danimarka ka rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje, duke i konsideruar ato të domosdoshme jo vetëm për sigurinë e saj kombëtare, por edhe për sigurinë e NATO-s në tërësi. Ai theksoi se Groenlanda mbetet një prioritet i veçantë për aleancën, duke e cilësuar si pjesë kritike të rajonit të Arktikut.
Ekstradohen nga Italia dhe Gjermania në Kosovë, një grua dhe...
Franca thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet në Izrael, K...
Rizvanolli kërkon rritje të masave të sigurisë, pas vdekjes ...
“Na ke bërë krenarë”, Hygerta surprizohet nga nëna për final...
Begaj: Nuk është e drejtë që Kosova ka mbetur larg proceseve...
Porti i ri tregtar në Porto Romano, SPAK sekuestron dosjen e...