Kaja Kallas i përgjigjet ShBA-së: Evropa ka një standard jetese që e kanë zili

13:51 | 15 Shkurt 2026
E.G

Ministrja e Jashtme Evropiane, Kaja Kallas, hodhi poshtë sot akuzat e ShBA-së se Evropa është në rënie dhe në vend të kësaj e portretizoi kontinentin e vjetër si mbrojtësen e standardeve të lirisë dhe progresit.

Duke folur në ditën e fundit të Konferencës së Sigurisë në Mynih, Kallas tha se evropianët kanë një “standard të shkëlqyer jetese” që është zilia e njerëzve në mbarë botën.

Si provë, ajo përmendi një sondazh që tregonte se 40 përqind e kanadezëve do të donin të bashkoheshin me BE-në.

Deklaratat e saj janë një përgjigje ndaj deklaratave në strategjinë e re të sigurisë kombëtare të SHBA-së, e cila thotë se Evropa është në “rënie qytetëruese” për shkak të migrimit, ndryshimeve kulturore dhe fetare dhe një rënieje të nivelit të lindjeve. Dokumenti thotë se Evropa mund të jetë “e panjohshme” brenda njëzet vjetësh.

“Ndryshe nga ajo që thonë disa, Evropa nuk është në një rënie qytetëruese”, tha Kallas, duke shtuar se kritikimi i Evropës është bërë në modë në disa qarqe politike.

Ish-kryeministrja estoneze përmendi të dhëna që tregojnë se vendi i saj renditet i dyti për sa i përket lirisë së shtypit sipas indeksit të Reporterëve pa Kufij.

“Është interesante që një vend që renditet i 58-ti në atë listë po na kritikon”, tha Kallas, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara.

Sipas indeksit të fundit për vitin 2025, SHBA-të janë të 57-tat në listën e vendeve, të udhëhequra nga Norvegjia.