Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson hodhi poshtë raportet që pretendojnë se i ka dërguar Brukselit propozime të reja në lidhje me Brexit-in, duke përfshirë një plan për pikat doganore me kufirin irlandez.
Johnson deklaroi se propozimet e bëra publike nga transmetuesi kombëtar irlandez RTE, i cili u shpreh se Britania e Madhe kishte sugjeruar vendosjen e pikave doganore në kufi, nuk ishin të duhurat.
“Ata nuk po flasin për propozimet që ne do të bëjmë. Ata po flasin për disa gjëra që kanë ndodhur më parë”, theksoi Johnson.
Ministri i Punëve të Jashtme të Irlandës, Simon Coveney, deklaroi se plani i raportuar nuk do të kishte sukses.
Ideja e pikave doganore të vendosura larg kufirit, që është mbështetur nga deputetët pro-Brexit në partinë Konservatore të Johnson-it, u zhvillua si një alternative e marrëveshjes së ashtuquajtur “backstop”, për të garantuar një kufi të hapur me Irlandën pas Brexit-it.
Brukseli dhe Dublini shprehen se marrëveshja alternative është thelbësore për të mbajtur të hapur kufirin midis Republikës së Irlandës, anëtare e BE, dhe Irlandës së Veriut si dhe të ruajë një marrëveshje paqeje në territorin e administruar nga britanikët.
Partia republikane irlandeze, Sinn Fein, deklaroi se propozimet e publikuara ishin absurde.
“Nuk mund të ketë asnjë kufi në Irlandë. Backstop-i është maksimumi që mund të ekzistojë”, shkroi Sinn Fein në rrjetin social Twitter.
Zëvendësministri i MPJD-së merr pjesë në pritjen e Konsullat...
Rreth 70% e familjeve në Prishtinë të pakënaqura me ngrohjen
Kurti: AKI po avancon kapacitetet dhe po forcon sigurinë kom...
Zelensky: Ukraina nuk po e humbet luftën, ne kemi çliruar mj...
Malisheva dhe Dukagjini ndahen në paqe
Rama: Konkursi i Gjuhës Shqipe, fije e artë që lidh fillesat...