Izraelitët po shënojnë një vjetorin e sulmit më të përgjakshëm në historinë e shtetit të Izraelit. Sulmi i grupit militant Hamas para një viti më 7 tetor shkatërroi ndjenjën e sigurisë dhe nxiti luftëra në dy fronte, pa një epilog të qartë në horizont. Hamasi shënoi përvjetorin e sulmit duke lëshuar një numër raketash drejt Tel Avivit ndërkohë që Hezbollahu, grupi militant me bazë në Liban, u zotua se do të vazhdojë të sulmojë Izraelin. Hamasi po mban ende rreth 100 pengje, nga 250 që rrëmbeu, por mendohet se një e treta e tyre mund të kenë vdekur.
Në tërë Izraelin u mbajtën sot ceremoni përkujtimore për të shënuar përvjetorin e sulmit më të përgjakshëm në historinë e vendit.
Para agimit, qindra familje të viktimave të festivalit të muzikës Nova, të shoqëruar nga Presidenti izraelit Isaac Herzog, u mblodhën në vendin ku rreth 364 pjesëmarrës të festivalit u vranë dhe shumë të tjerë u morën peng.
Ndërkohë që dielli agoi, organizatorët lëshuan të njejtën muzikë që ishte ndërprerë para një viti kur filloi sulmi. Në orën 06 e 29 minuta të mëngjesit, orën e saktë kur Hamasi filloi sulmin, pjesëmarrësit mbajtën një minutë heshtje, e shoqëruar me vajin e një gruaje dhe jehonën e bombardimeve nga luftimet në Gazë disa kilometra tutje.
Vitin e kaluar, më 7 tetor, militantët e Hamasit vranë 1,200 izraelitë, shumica civilë dhe rrëmbyen 250 të tjerë.
Sulmi i befasishëm i grupit militant Hamas, që qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka shpallur organizatë terroriste, i zuri izraelitët të papërgatitur, duke lëkundur besimin e tyre ndaj udhëheqësve të vendit dhe ushtrisë.
Pasojat e sulmit ende vazhdojnë të ndihen në tërë rajonin.
Militantët palestinezë në Gazë e shënuan një vjetorin e sulmit ndaj vendbanimeve izraelite duke hedhur pesë raketa në drejtim të Izraelit.
Një raketë u hodh edhe nga Libani në pjesën veriore të Izraelit.
Familjet e të rrëmbyerve që ende po mbahen në Gazë, u mblodhën para rezidencës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Jeruzalem.
“Një vit ankth. Zgjohesh në mëngjes, nëse ke arritur të flesh ndopak, jeton dhe pastaj shkon për të fjetur i vdekur”, thotë babai i pengut Liri, Eli Albag.
Kryeministri Netanyahu vizitoi memorialin kushtuar viktimave të 7 tetorit në Jeruzalem.
“Në këtë ditë, në këtë vend dhe në vende të shumta në mbarë vendin, kujtojmë të rënët, pengjet tona – të cilët jemi të angazhuar t’i kthejmë, heronjtë që u sakrifikuan në mbrojtje të atdheut. Përjetuam një masakër të tmerrshme para një viti, por u ngritëm si një komb luanësh”, deklaroi ai.
Ceremoni përkujtimore për t’u solidarizuar me Izraelin u mbajtën në tërë botën, përfshirë në Uashington.
Lufta në Gazë po vazhdon dhe Izraeli ndërkohë po lufton një luftë të re kundër Hezbollahut në Liban. Njëkohësisht konflikti me Iranin, i cili mbështet Hamasin dhe Hezbollahun, po përshkallëzohet duke e përkeqësuar edhe më shumë situatën në rajon.
Lufta në Gazë është lufta më e gjatë, më e përgjakshme dhe më shkatërruese në historinë e konfliktit izraelito-palestinez. Sipas autoriteteve në Gazë, rreth 42,000 palestinezë janë vrarë në konflikt, apo rreth 2 për qind e popullsisë së këtij territori./voa
Ura për këmbësorë mbi lumin Ibër nga nesër lëshohet për qark...
“Po du me të këqyr”, Klodi skuq Benitën
Përplaset për vdekje këmbësori në Krujë, shoqërohet në komis...
Ushtria amerikane: Tetë të vrarë nga sulmet e fundit ndaj an...
“E mallkoj ditën kur jemi takuar”, Londrimi ngacmon Edin dhe...
Bislimi publikon letrën nga BE: Komisioni ka vendosur për he...