Gjykatëses amerikane ia vrasin djalin 20-vjeçar dhe ia plagosin burrin

15:20 | 20 Korrik 2020
M. A.

Një sulmues i armatosur ia ka vrarë djalin 20-vjeçar gjykatëses amerikane, Esther Salas, dhe ia ka plagosur bashkëshortin. Sulmi ndodhi në shtëpinë e saj në New Jersey.

Hetuesit kanë thënë se vetë gjykatësja nuk është lënduar në këtë sulm. Sipas raporteve, sulmuesi i dyshuar ishte i veshur me rroba të një postieri të kompanisë “FedEx” dhe ende ndodhet në arrati.

Motivi i sulmit nuk është i qartë. Një zyrtar lokal dhe një mik i familjes Salas thanë se gjykatësja ka marrë kërcënime më parë. FBI-ja është duke e hetuar rastin dhe ka bërë thirrje për dorëzim të informacioneve nga dëshmitarët e mundshëm, shkruan “BBC”.

Sipas burimeve, djali i gjykatëses, i quajtur Daniel Anderl, student, e kishte hapur derën e shtëpisë të dielën rreth orës 17:00 sipas kohës lokale, kur ishte qëlluar për vdekje. Bashkëshorti i gjykatëses, Mark Anderl, 63 vjeç, ishte qëlluar më pas disa herë. Ai ndodhet në gjendje kritike, por të qëndrueshme.

Hetuesit po i shqyrtojnë kërcënimet që i janë bërë më parë gjykatëses, por nuk e kanë përjashtuar mundësinë që sulmi të jetë i lidhur edhe me punën e bashkëshortit si avokat mbrojtës.

FBI-ja njoftoi përmes një deklarate se është vënë në kërkim të një personi të dyshuar dhe kërkoi që kushdo që ka informacione për këtë rast t’i dorëzojë ato tek autoritetet.

Shpërndaje në rrjete sociale