Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive të vendit, tha se përçarja politike kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në numrin e madh të të vdekurve nga COVID-19 në SHBA, i cili të hënën kaloi shifrën 500,000.
Në një intervistë me Reuters, Dr. Fauci tha të hënën se pandemia mbërriti në Shtetet e Bashkuara ndërsa vendi ishte nën mëshirën e ndarjeve politike, ku edhe vënia e një maske ishte më tepër një deklaratë politike sesa një masë e shëndetit publik.
“Edhe në rrethanat më të mira, ky do të kishte qenë një problem shumë serioz,” tha Dr. Fauci, duke theksuar se megjithë respektimin e fortë të masave të shëndetit publik, vendeve të tilla si Gjermania dhe Britania e Madhe iu desh të përballeshin me vështirësi për të luftuar virusin.
“Megjithatë, kjo nuk e shpjegon se si një vend i pasur dhe i sofistikuar mund të ketë përqindjen më të madhe të vdekjeve dhe të jetë vendi më i goditur në botë”, tha Dr. Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive dhe këshilltar i lartë i Presidenti Joe Biden. “Kjo besoj se nuk duhet të kishte ndodhur”, tha ai.
Edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë vetëm 4% të popullsisë së botës, ato kanë regjistruar gati 20% të të gjitha vdekjeve nga COVID-19.
Dr. Fauci tha se shfaqja e varianteve më ngjitëse të koronavirusit, veçanërisht ato nga Afrika e Jugut dhe Brazili që kanë treguar se e ulin imunitetin nga infeksionet natyrore dhe vaksinat, e kanë bërë të vështirë parashikimin se kur Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje ta kapërcejnë pandeminë.
Dr. Fauci dhe Presidenti Biden kanë thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të rikthehen në pothuajse jetën normale të para-pandemisë rreth periudhës së Krishtlindjes. Por Dr. Fauci paralajmëroi se kjo mund të ndryshojë.
Variantet e ndryshme të koronavirusit gjithashtu e ndryshojnë ekuacionin kur bëhet fjalë për imunitetin e turmës, në të cilën një popullatë mbrohet nga infeksioni për shkak të niveleve të larta të imunitetit nga vaksinat ose infeksionet.
I pyetur nëse kjo është ende e arritshme, Dr. Fauci tha: “Unë mendoj se ne mund të fitojmë imunitetin e turmës të paktën duke mos u sëmurur.”/arbresh.info/
Basha: Po ndërtojmë edhe një urë të re mbi lumin Ibër
E trishtë: Nesër u jepet lamtumira e fundit dy të rinjve nga...
Kurti premton investime të shumta në Mitrovicë dhe gjithë Ko...
Hotel luksoz, të ftuar VIP dhe kosto prej një milion eurosh ...
Nesër mbahet protestë në përkrahje të studentëve shqiptarë n...
Vdiq në krye të detyrës, polici do të prehet në vendlindje, ...