Policia belge është në kërkim të personave të armatosur pasi u raportua për të shtëna pranë një stacioni metroje në qendër të Brukselit.
Pamjet CCTV të transmetuara nga mediet lokale tregojnë të paktën dy burra të veshur me kapuç dhe me armë në hyrje të stacionit Clémenceau në kryeqytetin belg në mëngjesin e të mërkurës.
Sarah Frederickx, zëdhënëse e policisë së Brukselit, tha se të dyshuarit ikën në stacionin e metrosë dhe mund të jenë ende në tunelet e metrosë.
Zëdhënësja tha se nuk pati të lënduar nga të shtënat. Policia lokale së bashku me policinë federale hekurudhore po kontrollojnë zonën.
Policia po kërkon “një grup të vogël njerëzish, ndoshta dy ose tre individë”, tha zonja Frederickx, duke shtuar se ata mund të jenë ende të armatosur dhe se policia nuk donte të rrezikonte.
BruxellesToday raportoi se të dyshuarit mbanin ato që dukej të ishin armë kallashnikov.
Stacioni Clémenceau është mbyllur, si dhe stacioni aty pranë Bruksel-Midi, i cili shërben gjithashtu si terminal për trenat e Eurostar, raporton BBC.
Dy linja metroje përmes qendrës së Brukselit janë pezulluar gjithashtu, nga Gare de l’Ouest në Trône, që është afër Parlamentit Evropian.
Raportet në mediet belge sugjerojnë se ngjarjet mund të kenë qenë të lidhura me trafikun e drogës. Zona përreth Bruksel-Midi ka pasur prej kohësh një reputacion për dhunë dhe krim.
Linjat e tramvajit gjithashtu u ndërprenë, përkatësisht midis Lemonnier dhe Berkendael dhe midis stacioneve Port d’Anderlecht dhe Gare du Midi.
Mijëra udhëtarë u prekën nga incidenti, i cili ndodhi gjatë orës së pikut të mëngjesit. Nuk ka asnjë tregues se kur mund të rifillojë shërbimi normal./rtk
Serwer: Serbia mbetet burimi kryesor i destabilizimit në Bal...
Millan Radojeviq betohet si kryetar i ri i Mitrovicës së Ver...
Betohet edhe kryetari i ri i Graçanicës, Novak Zhiviq
Millosh Peroviq betohet si kryetar i ri i Zubin-Potokut
Gjykata refuzon kërkesën e Besim Kelmendit për masën e sigur...
Betohet edhe kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq