Ky është momenti prekës kur heroi i guximshëm Ahmed Al Ahmed zbuloi se njerëz nga e gjithë bota kishin mbledhur 2.5 milionë dollarë australianë (1.65 mln dollarë amerikanë) për ta mbështetur. Fjalët e tij mirënjohëse për të gjithë ata që dhuruan ishin plot ngrohtësi dhe dashuri.
I quajtur “Heroi i Bondit”, babai i dy fëmijëve e mori çekun si vlerësim për veprimet e tij, duke iu hedhur një prej autorëve të sulmit në Bondi Beach Sydney, ku u vranë 15 persona dhe u plagosën 41 të tjerë. Al Ahmed i cili shpëtoi jetë të tjera duke i marrë armën njërit prej sulmuesve mori çekun të premten, pasi dhjetëra mijëra njerëz kontribuan në një faqe interneti për donacione.
Ai u fsheh pas makinave të parkuara përpara se të sulmonte njërin prej personave të armatosur nga pas, duke i marrë armën dhe duke e rrëzuar përtokë. Ahmed mori plagë me armë zjarri pasi me sa duket u qëllua nga autori i dytë dhe mbetet në spital pasi iu nënshtrua një operacioni.
Çeku iu dha nga Zachery Dereniowski, një ndikues në mediat sociale dhe bashkëorganizator i faqes GoFundMe, treguan videot e postuara në internet.
Më shumë se 43,000 njerëz në të gjithë botën kontribuuan në mbledhjen e fondeve, përfshirë menaxherin miliarder të fondeve Bill Ackman, i cili dhuroi 99,999 dollarë australianë dhe shpërndau fushatën për mbledhjen e fondeve në llogarinë e tij në X. Kryeministri i Australisë dhe kryeministri i shtetit e kanë vizituar Ahmedin në spital për të lavdëruar trimërinë e tij.
Kur iu dorëzua çeku, Ahmedi pyeti: “E meritoj?”, ndërsa Dereniowski përgjigjet “çdo qindarkë”.
Kur e pyetën se çfarë do t’u thoshte njerëzve që dhuruan për të, Ahmedi tha: “Të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, të gjithë qenieve njerëzore. Dhe të harrojnë çdo gjë të keqe… dhe të vazhdojnë të shpëtojnë jetë.”
“Kur i shpëtova njerëzit, e bëra nga zemra sepse ishte një ditë e bukur, të gjithë po festonin, me fëmijët e tyre, gratë, burrat, adoleshentët, të gjithë ishin të lumtur dhe e meritojnë, e meritojnë të gëzojnë”, tha Ahmedi, duke ngritur grushtin e tij të padëmtuar në ajër.
“Ky vend është vendi më i mirë në botë, vendi më i mirë në botë, por ne nuk do të qëndrojmë dhe të vazhdojmë të shikojmë, mjaft është mjaft. Zoti e ruajt Australinë!”. Ahmedi, 43 vjeç, u largua nga qyteti i tij i lindjes në provincën veriperëndimore të Sirisë, Idlib, gati 20 vjet më parë për të kërkuar punë në Australi.
Pesëmbëdhjetë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën të dielën, pasi dy persona të armatosur hapën zjarr ndaj njerëzve që festonin Hanukkah, festivalin hebraik të dritave në plazhin e famshëm. Autoritetet deklarojnë se një 50-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje nga policia, dhe djali i tij 24-vjeçar, i cili u plagos rëndë, kryen sulmin.
A do të largohet Guardiola nga City? Kjo është përgjigja e s...
Bahamas njeh Kosovën, Osmani nënshkruan marrëveshjen diploma...
Supremja e lë Ramadan Morinën në paraburgim, kërkon nga Them...
Treni godet një automjet afër Drenasit, dy të lënduar
Polonia dhe Ukraina tregojnë unitet kundër Rusisë, trajtojnë...
KQZ akrediton edhe 276 vëzhgues, prej tyre 15 organizata