Snajperët e FSK-së u zhdoganuan pas interesimit të portalit arbresh.info

15:55 | 11 Janar 2021

Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se janë furnizuar me një lloj arme të teknologjisë së fundit, disa ditë pasi portali arbresh.info u interesua në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Doganën e Kosovës në lidhje me “zvarritjen” për zhdoganimin e disa snajperëve.

“Ushtria e Kosovës furnizohet me snajperë 12mm të teknologjisë së fundit”, thuhet në njoftimin e faqes zyrtare të Forcave të Armatosura, në Facebook.

Ky njoftim vie, pas pesë ditëve të interesimit të portalit arbresh.info në lidhje me këta snajperë që po qëndronin në Doganën e Kosovës.

Pavarësisht se Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, kishte deklaruar publikisht se posedojnë këtë armë, portali kuptoi se armët për të cilat fliste Quni nuk ishin ende të zhdoganuara.

“Ju bëjë me dije, se nuk kemi përgjigje pozitive për pyetjet tuaja për armët, sepse sasia e armatimit, modeli, prodhuesi, transporti dhe  depozitimi i tyre, janë informata të klasifikuara të  Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së”, i thanë portalin arbresh.info Ministria e Mbrojtjes kur u pyet në lidhje me snajperët që po qëndronin në Doganën e Kosovës.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, në lidhje me zhdoganimin e këtyre snajperëve, drejtoi gishtin tek një institucion.

“Produktet të cilat  konsiderohen si armë, nevojitet leje e posaçme nga Ministria e Punëve të Brendshme për t’i zhdoganuar”, deklaroi Stavileci për portalin arbresh.info.

Ende pa ju drejtuar Ministrisë së Brendshme, doli njoftimi se FSK-ja tashmë është pajisur me snajperë 12mm të teknologjisë së fundit, duke mos e përfillur përgjigjen që i kthyen portalit se “sasia e armatimit, modeli, prodhuesi, transporti dhe  depozitimi i tyre, janë informata të klasifikuara të  Ministrisë së Mbrojtjes dhe  FSK-së”. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara