Abazoviq: Jam shumë i relaksuar, menduan se ua mbrojë krimin që e bën për 30 vjet

18:01 | 19 Gusht 2022

Kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka folur për seancën e mos-besimit që po vazhdon të mbahet kundër tij, për të cilën tha se ndihet fare i relaksuar në lidhje me të.

Ai tha se është i kënaqur me punën e qeverisë së tij, teksa disa prej vendimeve i cilësoi edhe si historike.

Sa i përket arsyes për mocionin, Abazoviq tha se njëra ndër to është edhe përkatësia e tij etnike, por edhe punët, që sipas tij, i ka bërë në drejtim të luftimit të krimit dhe korrupsioni.

“Absolutisht po duan që të më rrëzojnë që jam shqiptar, por kjo s’është e vetmja çështje. Nuk bëhet fjalë vetëm për këtë gjë por ata kanë menduar se unë do të jem kryeminsitër që do ta mbrojë krimin e organizuar që e kanë krijuar për 30 vjet dhe kur e kanë pa se nuk ka lojë më me këtë çështje dhe kur kanë filluar të hyjnë nëpër burgje dhe kur kanë filluar të nisen procese gjyqësore kundër njerëzve që bëjnë krim, atëherë kanë kërkuar shkakun dhe e kanë gjetur në këtë kontratë që është bërë me Kishën Ortodokse por qartë se ajo s’është nga shkaku kryesor”, është shprehur Abazoviq për Klan Kosova.

Tutje, ai tha se politika në Mal të Zi ka mbetur në nacionalizmin e viteve të ’90-ta ku sipas tij, njerëzit nuk kanë qejf të bëhen ndryshime por të mbahet një status-quo, për të cilën tha se nuk është politikë e tij.

“Jam fare i relaksuar dhe gjithsesi do të shkojmë në zgjedhje, ose për 2 muaj ose për 5 muaj, por zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mal të Zi janë shumë afër”, u shpreh Abazoviq.

Kurse, sa i përket mocionit që po mbështetet edhe nga disa deputetë shqiptarë në Mal të Zi, Abazoviq u përgjigj me “çka me thënë, 30 vjet mos-ndryshimi i pushtetit lë pasoja”.

“Të arrij Mali i Zi që ta ketë kryeministrin shqiptar dhe të vijë në atë moment kur dikush prej partive shqiptare të votojë kundër që një shqiptar të jetë kryeministër, ajo besoj se nuk ndodh askund tjetër. Unë do të dalë si fitues, postet s’janë me rëndësi, me rëndësi është të kesh vizion”, tha Abazoviq.

Kujtojmë se mocionin për rrëzimin e Qeverisë Abazoviq e kanë nënshkruar 36 deputetë dhe për rrëzimin e tij nga posti i kryeministrit duhen 41 vota.

Shpërndaje në rrjete sociale