Ministri për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, dhe drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Jean-Eric Paquet, kanë nënshkruar Marrëveshjen Financiare Vjetore në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA). Mbështetja financiare e këtij Programi në total është 66 milionë euro.
Kjo është bërë e ditur nga ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, ku ka njoftuar edhe për sektorët që do të mbështeten nga ky fond.
“Nën Programin Vjetor të Veprimit të IPA-së do të mbështeten sektorët në vijim: Demokracia dhe Qeverisja, Sundimi i Ligjit dhe të Drejtat Themelore të Njeriut, Energjia, Konkurrueshmëria dhe Inovacioni, Bujqësia dhe Zhvillimi Rural. Fushat që mbulohen nga kjo Marrëveshje do të fillojnë të përfitojnë nga projekte që nga data 1 janar 2016”, ka shkruar Çollaku.
Kjo është konfirmuar edhe përmes një komunikate për media të Ministrisë së Integrimeve, në të cilën janë dhënë sqarime se si do të ndahen këto 66 milionë.
“Sa i përket Demokracisë dhe Qeverisjes, fokus i veçantë do t’i kushtohet përpjekjeve për përmirësimin e administratës publike në Kosovë, me qëllim që t’i mundësohet asaj transpozimi, aplikimi dhe zbatimi i “acquis” të BE-së, veçanërisht në fushat e mbuluara nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim (MSA). Programi do të mbështesë gjithashtu shoqërinë civile në ngritjen e efikasitetit dhe pjesëmarrjes së tyre në procesin e politikëbërjes. Gjithashtu, Programi do të ndihmojë në përmirësimin e kapaciteteve të Kuvendit të Kosovës. Shuma financiare për këtë sektor do të përfshijë 17.3 milionë euro”, thuhet në komunikatë.
Më tej thuhet se sa i përket Sundimit të Ligjit dhe të Drejtave Themelore do të adresohen sfidat në tri nënsektorë: në nënsektorin e Drejtësisë fokusi do të jetë në fuqizimin e arsimimit ligjor për ngritjen e nivelit të profesionalizimit, llogaridhënies dhe efikasitetit në gjyqësor.
Sa i përket Punëve të Brendshme, fokusi do të jetë në fuqizimin e strukturave që merren me politikat e migracionit në Kosovë dhe në fuqizimin e institucioneve që luftojnë trafikimin me qenie njerëzore. Ndërsa, sa i përket të Drejtave Themelore dhe Minoriteteve fokusi do të jetë në përmirësimin e respektimit të drejtave të njeriut, duke mbështetur përfshirjen e komuniteteve joshumicë dhe grupeve të cenueshme dhe lehtësimin e dislokimin e familjeve të zhvendosura nga qendrat kolektive. Në komunikatën e Ministrisë thuhet se shuma financiare për këtë sektor do të përfshijë 4 milionë euro.
Ministria e Integrimeve Evropiane bën të ditur se 5.5 milionë të tjera do të ndahen për sektorin e Energjisë.
“Veprimet në sektorin e Energjisë do të fokusohen kryesisht në zbatimin e legjislacionit që transpozon Pakon e Tretë për Energji, si dhe në reduktimin e emetimeve të karbonit dhe përmirësimin e efiçiencës së sektorit të Energjisë në Kosovë. Shuma financiare për këtë sektor do të jetë 5.5 milionë euro”, thuhet në komunikatë.
Ndërkohë, sa i përket Konkurrueshmërisë dhe Inovacionit, Programi do të ndihmojë në përmirësimin e konkurrueshmërisë së sektorit privat në Kosovë, në veçanti përmes përmirësimit të infrastrukturës komunale dhe mbështetjes së ndërmarrësve përmes Programit për Zhvillim Rajonal. Shuma financiare e ndarë për ketë sektor është 12.1 milionë euro.
Florent Hasani vazhdon shkëlqimin tek Boluspori, realizon go...
Partia Guxo: Po ushtrohet presion dhe po kontrollohet vota e...
LDK sot mban konferencë për media
Prokuroria e Shtetit thotë se s’ka të ndaluar për vepra pena...
Kelani: Procesi zgjedhor po vijon pa probleme, kemi angazhua...
Murati: Thirrni edhe akrabanë, le të votojnë të gjithë