Departamenti amerikan i Drejtësisë, nën presionin e Presidentit Donald Trump, i ka kërkuar Inspektorit të Përgjithshëm të shqyrtojë nëse hetimet e FBI-së lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës janë nxitur nga motive politike.
Të hënën pritet që presidenti të takohet me zëvëndës Prokurorin e Përgjithshëm Rosenstein, drejtorin e FBI-së Wray dhe drejtorin e Agjencisë së Zbulimit Kombëtar Coats lidhur me çështjen e përgjimit.
Departamenti i Drejtësisë veproi pas një postimi në twiter të zotit Trump të dielën. Ai kërkonte që departamenti të shqyrtojë nëse Byroja Federale e Hetimeve “ka përgjuar” fushatën e tij “për qëllime politike” dhe nëse një kërkesë e tillë është bërë nga njerëz brenda administratës Obama”.
Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili po mbikëqyr hetimin penal të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse, tha se: “nëse dikush ka vëzhguar anëtarët e një fushate presidenciale për qëllime të papërshtatshme, ne duhet të dimë dhe të ndërmarrim veprimet e duhura”.
Veprimi i Departamentit të Drejtësisë shmangu një përplasje të mundshme me zotin Trump.
Brenda pak minutash nga tweetet e presidentit i cili kërkonte hetim për këtë çështje, anëtarët e administratës së ish-Presidentit Barak Obama dhe të tjerë reaguan me alarm. Ata thanë se besonin se kërkesa e zotit Trump për të hetuar, ishte potencialisht ndërhyrja më serioze në sistemin amerikan të drejtësisë, pas shkarkimit nga presidenti të ish drejtorit të FBI-së James Comey, ndërsa ai zhvillonte hetime lidhur me ndërhyrjen e rusisë në zgjedhje.
Të shtunën zoti Trump u ankua se FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë kishin përgjuar fushatën e tij përmes një informatori. Disa agjenci lajmesh e kanë identifikuar informatorin si Stefan Halper, një profesor amerikan 73-vjeçar i universitetin Britanik të Kembrixhit, i cili ka punuar dekada më parë për tre administrata të tjera republikane./VoA/
Ambasada e SHBA-së në Bagdad sulmohet me raketë, goditet hel...
Kurti shtroi iftar për myftiun Tërnava
Therje me thikë në Prishtinë, policia jep detaje mbi rastin
Izraeli dhe Libani do të zhvillojnë bisedime pas përshkallëz...
Tri vetura përfshihen në një aksident në rrugën Prishtinë-Li...
BE: Serbia të zgjedhë mes Rusisë dhe Evropës