Haxhiu kujton Luan Haradinajn: Një nga luftëtarët e orëve të para të UÇK-së

15:42 | 6 Maj 2026
E.K

U.D. Presidentja e vendit, Albulena Haxhiu ka kujtuar heroin Luan Haradinaj, në 29-vjetorin e rënies së tij.

“Luani ishte një nga luftëtarët e orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një nga njerëzit që hapën rrugën e mbështetjes logjistike nga Shqipëria. Më 6 maj 1997, në kufirin shqiptaro-shqiptar, Luani ra duke u kthyer në Kosovë. Aty u ndërpre jeta e tij, por jo rruga që kishte nisur. Pas tij, ajo u bë rrugë e shumë djemve dhe vajzave të UÇK-së që nuk pranuan ta shihnin Kosovën të nënshtruar”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo tutje ka thënë se rënia e Luanit më 6 maj ka kuptim të veçantë, pasi ra në ditën kur shqiptarët shënojnë lindjen e Gjergj Kastriotit.

“Në këtë datë takohen dy kohë të së njëjtës histori, koha e prijësit që i dha drejtim qëndresës shqiptare dhe koha e luftëtarëve që ia sollën Kosovës lirinë. Lavdi Heroit Luan Haradinaj. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit”, ka shkruar tutje Haxhiu.