Gratë Deputete përkrahin të drejtat e të verbërve të Kosovës

16:36 | 25 Korrik 2015
M. A.

Sot Grupi i Grave Deputete mbajti një takim me Komitetin e Gruas së Verbër në Kosovë ( KGVP), në të cilën u diskutua lidhur me Ligjin për Personat e Verbër.

Kryetarja e KGVP Bajramshahe Jetullahu, citohet të ketë thënë se gjendja e personave të verbër është shumë e rëndë së pari për shkak të problemeve shëndetësore dhe mungesës së përkrahjes institucionale, e cila edhe do të duhej të ishte sepse ligji e obligon.

Për ligjin thuhet të ketë folur edhe kryetarja e GGD, Blerta Deliu – Kodra.

“Unë dhe shumica e deputetëve, jemi angazhuar për miratimin e këtijë ligji, i cili siguron përkrahje të konsiderueshme për të verbërit si: ajo financiare, trajtimi shëndetësor, shërbimet e transportit, energjia elektrike, lirimi nga taksat e ndryshme etj. Mua më vjen keq që ky Ligj ende nuk ka filluar, të zbatohet dhe madje ende nuk është në portalin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenjes Sociale”, tha Deliu – Kodra.

Komitetit të Gruas së Verbër në Kosovë, përkrahje u premtoi edhe deputetja Shukrie Bytyqi. Ajo u tha këtyre grave se do ta ketë vëmendjen që edhe në Komisionin për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenje Sociale të shikohet lidhur me nivelin e zbatimit të të drejtave të KGVP.

Gratë Deputetët pranuan shumë ankesa nga Juristi i KGVK, Halil Kurmehaj. Ai, ka paraqitur një varg problemesh të kësaj kategorie, si librezat e lëshuara nga Institucionet shtetrore, papunësia, pengesa në trafik, etj.

Të dy grupet morën një vendim që në fillim të shtatorit, të mbahet një takim, me të gjitha institucionet kompetente, me qëllim që të bëhet shtytje për të bërë ligjin e zbatueshëm, dhe kjo kategori të realizojë të drejtat e tyre ligjore.

Shpërndaje në rrjete sociale