S’ka plazh për deputetët pa e themeluar Gjykatën Speciale

19:21 | 22 Korrik 2015
M. A.

Deputetëve të Kuvendit të Kosovës u ka mbetur vetëm edhe një obligim para se të shijojnë plazhin: të votojnë pro themelimit të Gjykatës Speciale.

Lidhjen e pushimeve verore me votimin për ndryshimin e amandamenteve kushtetuese, sërish e ka bërë kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, pas mbledhjes së deputetëve të kësaj partie, dhe atyre të grupit 6+, raporton KTV.

Ky proces, sipas Thaçit, do të përmbyllet suksesshëm së shpejti.

Megjithatë, ka pasur edhe deputetë të PDK-së, si Nait Hasani, që ishte një prej deputetëve që votuan kundër, që nuk u interesoi fort kjo mbledhje e grupit parlamentar, duke vazhduar me angazhimet e tyre në komisione.

Derisa për Specialen ka folur edhe anëtari tjetër i PDK-së, njëherësh nënkryetar i Kuvendit, Xhavit Haliti.

Pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit, Haliti tha se mos-votimi i Speciales, do t’i shkaktonte dëm të pariparueshëm Kosovës.

Haliti ka theksuar se kanë tentuar të bisedojnë edhe me subjektet e tjera politike, por edhe me deputetët e PDK-së që kanë votuar kundër, por deri tani nuk ka rezultate.

Në këtë mbledhje të kryesisë, sipas Haliti, nuk është diskutuar për Gjykatën Speciale, pasi që nuk ka pasur ndonjë material për të shqyrtuar, por është folur për organizimin e administratës së legjislativit, transmeton Koha.net.

E presioni, ditët e fundit është rritur nga shtete të ndryshme, që kanë shprehur zhgënjimin e tyre për dështimin e 26 qershorit, duke kërkuar që krerët e vendit të mbajnë fjalën për themelimin e Speciales.

Shpërndaje në rrjete sociale