Hyseni: Policia e Kosovës do të ketë përkrahjen e pakursyer të MPB-së

17:02 | 21 Korrik 2015
M. A.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Policia e Kosovës, e cila ka të bëjë me realizimin e një ushtrimi të përbashkët, të reagimit dhe menaxhimit të situatave në nivel operativ, me përfshirje të gjerë të njësive speciale dhe njësive për reagim të shpejtë nga të gjitha rajonet.

Me këtë rast, Hyseni theksoi se ishte kënaqësi e veçantë vëzhgimi i një ushtrimi të një nga situatave të shumta të mundshme, me të cilat pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës janë përballur dhe mund të përballen në të ardhëm.

“Unë si Ministër i Punëve të Brendshme, ndihem krenar ku e them dhe e dëgjoj nga shumë vëzhgues ndërkombëtarë se Policia e Kosovës është një nga policitë më të mira në Evropën Juglindore. Policia e Kosovës është më profesionale në Ballkanin Perëndimor dhe padyshim, njësitë speciale të kësaj policie janë njësi elitare dhe ju përgëzoj për punën e shkëlqyer që bëni”, tha ministri.

Ai tha se Policia e Kosovës do të ketë përkrahjen e pakursyer të MPB-së dhe të Qeverisë. Ai theksoi se i fton që si gjithmonë që me çfarëdo situate që vendi ynë mund të përballet të janë të gatshëm.

Ministri Hyseni vuri në dukje se jetojmë në kohë të trazirave të ndryshme, të ekstremizmave të ndryshme, jetojmë në kohë të akteve terroriste makabre, që po ndodhin në vende të ndryshme të botës dhe rrjedhimisht as Kosova nuk është tërësisht imune ndaj këtyre të këqijave.

Në fund, ministri Hyseni theksoi se, qytetarët e Kosovës duhet të ndihen të sigurt se institucionet e vendit, sidomos ato të sigurisë janë duke i bërë të gjitha veprimet dhe janë plotësisht të mobilizuara që të përballen me çfarëdo situate brenda mundësive që ekzistojnë.

Ai tha se Kosova nuk ka asnjë informacion se do të përballet me ndonjë situatë krize, sido që të jetë, “një polici serioze institucione serioze të rendit dhe të sigurisë së një vendi, duhet gjithnjë të jenë të gatshme të përgjigjen në situatat që mund të krijohen”.

Demonstrimi u mbajt në kapin Vrella të Policisë së Kosovës. Në këtë demonstrim njësitë elite të Policisë së Kosovës, dëshmuan profesionalizëm gjatë inskenimi të një proteste të dhunshme.

Shpërndaje në rrjete sociale