Osmani: Kosova mund të kthehet në kohën e UNMIK-ut

20:55 | 19 Korrik 2015
M. A.

Kosova mund të kthehet në kohën e UNMIK-ut nëse mundëson që Gjykata Speciale të krijohet nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani – njohëse e ligjeve ndërkombëtare – ka shpjeguar për RTV Dukagjinin skenarin se si kjo gjykatë mund të themelohet nga OKB.

“Tribunalet janë formuar në marrëveshje me shtetet. Në rastin tonë – meqë jo të gjitha shtetet anëtare të OKB-së na njohin si shtetet i pavarur dhe sovran – opsioni që është duke qarkulluar është ai që Specialja të formohet në bazë të Rezolutës 1244, që e trajton Kosovën si territor të administruar nga OKB. Kështu, të gjitha kompetencat në fushën e drejtësisë dhe politikës së jashtme do t`i liheshin UNMIK-ut. Kjo nënkupton kthim prapa – në kohën e para shpalljes së pavarësisë”, ka thënë Osmani.

Deputetja e LDK-së thotë se në rast se KS i OKB-së e formon Specialen, dëmi që i bëhet sovranitetit të Kosovës është shumëfish më i madh sesa që Kuvendi të themelojë vetë këtë gjykatë. Sipas saj, përveç sovranitetit dëmtohet rëndë edhe politika e jashtme e Kosovës.

“Më i mirë saj është drafti që kanë deputetet për Specialen sesa që OKB të vendos për Dhomat e Specializuara”, shton ajo.

Kjo deputete e LDK e ka dhënë edhe një version se si Qeveria mund t`i procedojë ndryshimet kushtetuese sërish në Kuvend.

“Kanë kaluar disa ditë nga koha kur ajo dështoi për herë të parë në Kuvend. Kjo nuk e ka ndalur Qeverinë që të bëjë një ndryshim teknik që është i nevojshëm në preferenca – në paragrafë, në atë amendament. Në një rast të tillë, ai do të ishte amendament i ri i cili do të merrte dritë nga Gjykata Kushtetuese. Në këtë rast nuk do të duhej të merrte kohë më shumë se 24 orë, sepse është ndryshim teknik dhe do të procedohej në Kuvend. Kështu, askush nuk do të mund të kontestonte një procedurë të tillë, sepse ky do të ishte një amendament i ri kushtetues që gjithsesi do të kërkonte një miratim të ri. Pse Qeveria nuk e ka bërë këtë dhe nuk e ka shfrytëzuar këtë kohë, unë nuk jam e sigurt”, thekson Osmani.

Specialja ka dështuar herën e fundit në Kuvendin e Kosovës, për shkak se disa deputetë të PDK i kishin thënë jo Gjykatës Speciale. Kërkesat dhe presioni ndërkombëtar po vazhdon që Kuvendi ta bëjë këtë, përderisa shefi PDK-së, Hashim Thaçi, ka thënë se Specialja nuk do të shkojë në Kuvend pa u siguruar numrat. /RTV Dukagjini/

Shpërndaje në rrjete sociale