Kosovarët s’janë më të rrezikuar se të tjerët nga terrorizmi

18:16 | 15 Korrik 2015
M. A.

Kosovarët nuk janë në shënjestër nga terrorizmi më shumë se vendet e tjera dhe ky është një fakt.

Këtë konstatim e dha komandanti i KFOR-it në Kosovë, italiani Francesco Paolo Figliuolo.
“Mendoj se ky kërcënim është në mbarë botën dhe për mendimin tim nuk është një kërcënim specifik, por është global dhe nuk është se Kosova është në shënjestër më shumë se vendet e tjera”, ka thënë ai.

Ai foli edhe për rastin e javës së kaluar, kur disa persona u arrestuan në liqenin e Badovcit nën dyshimin për terrorizëm.

“Nga ajo çfarë ka ndodhur javën e kaluar mund të them se Policia e Kosovës ka bërë një punë të jashtëzakonshme në parandalimin dhe reagimin e ndaj këtij fenomeni, besoj se policia po i ndiqte dhe po i përcillte të dyshuarit për terrorizëm”, ka thënë Francesco Paolo Figliuolo, komandant i KFOR-it në Kosovë.

Këto komente ai i bëri në Deçan me rastin e përurimit të një ure në këtë komunë që shpije te uji i thartë.
Përfaqësuesit e Manastirit të Deçanit, në afërsi të të cilit u ndërtua ura, u treguan indiferent dhe nuk u bënë pjesë e ceremonisë në prerjen e shiritit.

Kjo është një shenjë hidhërimi, pas vendimit që gjykata mori për të mos i lejuar Manastirit administrimin e një prone publike, tha kreu i Deçanit, Rasim Selmanaj.

Ndërtimi i urës u realizua nga KFOR-i italian dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, ndërkaq do të shërbejë për një qarkullim më të lehtë të qytetarëve të kësaj ane.

Shpërndaje në rrjete sociale