Hamza: Për tre vjet normat e interesit u ulën për 50 për qind

21:15 | 14 Korrik 2015
M. A.

Për tre vjetët e fundit në Kosovë kanë rënë normat e interesit nga 14 për qind sa ishin, në 7.9 për qind. Këtë e ka bërë të ditur për emisionin Rubikon të KTV-së guvernatori i BQK-së, Bedri Hamza.

Por ai nuk ia ka atribuuar të gjithë meritat vetës, por ka theksuar se rënia e normave për 50 për qind ndodhi për shkak të rritjes së konkurrencës, eliminimin e pengesave dhe hyrja në fuqi të ligjit për përmbaruesit privatë.

Derisa i ka vlerësuar si të sigurta bankat e Kosovës.

“Kosova është treg i hapur, janë 10 banka dhe kjo bërë që të rritet konkurrenca dhe normalisht që normat u ulën brenda 3 vjetësh në 50 për qind, me çka Kosova u bë e barabartë me të gjitha shtetet e rajonit, duke përjashtuar Bosnjën dhe Maqedoninë… Po ashtu ndikoi edhe eliminimi i pengesave nga ana jonë, ne kemi krijuar infrastrukturën legale, çështja e përmbaruesve privatë ka ndikuar po ashtu shumë. Të mos harrojmë se edhe numri i kredive të këqija ka rënë dukshëm. Pra, të gjitha këto kanë plotësuar njëra-tjetrën dhe kanë bërë që bankat të krijojnë sigurinë e tyre“.

Ai ka thënë se askund në botë, por as në Kosovë, nuk mundet që shtetit të ndikojë në banka që të caktojë normën e interesit për asnjë lloj kredie.

Rënien e përqindjes se depozitave në 1 për qind e ka arsyetuar me atë që bankat kanë mjaft depozita të tyre.

Rritja ekonomike zyrtare është 0.9, edhe pse BQK-së i doli 2,7 për qind

Guvernatori ka theksuar se sipas vlerësimit të Bankës Qendrore të Kosovës, rritja ekonomike për 2014 ishte 2. 7 për qind. Por, sipas tij, ajo që merret si rritje zyrtare janë matjet e Entit të Statistikave të Kosovës që është 0.9 për qind, raporton koha.net.

“Ne japim vlerësimin e rritjes ekonomike duke e përdorur modulin e matjeve që përdor edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe ka dalë që rritja ishte 2.7 për qind. Por, realisht ajo që është legale dhe që përdoret zyrtarisht janë matjet e Entit të Statistikave. Kosova ka nevojë për përmirësimin e të dhënave dhe reforma në këto Ente dhe këtë e ka thënë edhe FMN-ja”, ka thënë për Rubikon i pari i BQK-së, Hamza.

Ai ka theksuar se Kosova ka nevojë për një rritje ekonomike dhe atë minimumi duhet të jetë 7 për qind, por që, sipas tij, po ndodhin gjëra që po e ngadalësojnë këtë rritje.

Ndërsa ka theksuar se bartësi i rritjes ekonomike duhet të jetë sektori privat, por që duhet krijuar kushte dhe përmirësim edhe në sistemin shtetëror.

“Paratë e privatizimit guxojmë t’i prekim vetëm nëse ndryshohet ligji”

Guvernatori i Kosovës në Rubikon ka siguruar qytetarët e Kosovës se paratë e privatizimit janë të sigurta dhe po investohen në bankat e Bashkimit Evropian, por nuk janë në ato shtete që kanë probleme financiare, duke përjashtuar Portugalinë, Greqinë dhe Spanjën.

Ndonëse nuk ka dashur të tregojë se ku saktësisht janë investuar 550 milionë eurot e Fondit të privatizimit, ai ka theksuar se ato janë në ato banka që klasifikohen si Banka të rendit të parë.

Kur është pyetur pse ato nuk po investohen në Kosovë, Hamza ka theksuar se Banka Qendror nuk guxon t’ i prekë ato pa u ndryshuar legjislacioni, i cili ia ndalon një gjë të tillë.

Kosova nuk e ka obligim t’ua sigurojë mbijetesën kompanive të sigurimit

Hamza ka pranuar indirekt se kompanitë e sigurimit kanë mbajtur monopolin e kartonit të gjelbër, por ka përjashtuar mundësinë që ndonjëra nga kompanitë të ketë qenë e privilegjuar.

Prej viti 2002 deri më 2012 rreth 80 milionë euro ishin të hyrat e inkasimit nga bashkatdhetarët vetëm për Kartonin e Gjelbër.

Kreu i BQK-së ka thënë se do të ishte e drejtë që Kosova të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër, por sipas tij, duhet plotësuar edhe disa kushte, e që nuk janë të lehta.

Pas përgjysmimit të çmimit për pagesën e sigurimit të automjeteve që hyjnë në Kosovë, Hamza ka thënë të mos e kenë obligim që të krijojnë kushte për mbijetesën e kompanive të sigurimit, duke lënë të kuptohet se disa kompani edhe mund të falimentojnë, pasi që burimi i jetesë së tyre ishin arkëtimet në këtë aspekt.

Ndërsa ka folur edhe për evazionin fiskal që po e krijojnë rreth 80 mijë automjete që qarkullojnë në Kosovë, e që nuk janë të regjistruara, që nuk paguajnë taksë rrugore, nuk paguajnë tatim e as sigurim.

Ai ka thënë ta kenë hartuar një projekt, i cili do të zgjidhte këtë problem dhe tashmë e kanë diskutuar edhe me Ministrinë e Financave dhe do t’ia prezantojnë edhe Ministrisë së Brendshme.

“Masat ndaj Greqisë janë më të rënda se të kaluarat”

Guvernatori i Kosovës ka folur edhe për krizën greke, ku ka thënë se masat e kreditorëve grekë janë më të rrezikshme se të kaluarat. Andaj, sipas tij, Greqia urgjentisht duhet t’i nisë reformat shtetërore për të mënjanuar rrezikun e dështimit.

Shpërndaje në rrjete sociale