MSA-ja forcon rolin e Kosovës drejt BE-së

16:30 | 10 Korrik 2015
M. A.

Politika kosovare nuk po e kryen punën e saj siç duhet. Fakt për këtë konsiderohet mos hyrja e Kosovës në Bashkimin Evropian. Kështu, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile ka publikuar sot një hulumtim, i cili tregon disa nga faktorët e mos hyrjes së Kosovës në BE.

Me këtë rast, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, fajësoi Qeverinë e Kosovës për procesin Evropian dhe për reformat që duhet bërë që Kosova të ecë përpara.

“Shtet anëtare janë duke përfunduar këtyre ditëve diskutimin rreth MSA-së, për nënshkrimin e MSA-së me Kosovën, e cila do të forcojë rolin e Komisionit për Integrime Evropiane…natyrisht së pari më duhet të them se pjesa apo homologu kryesor për Bashkimin Evropian vazhdon të mbetet Qeveria…ata që janë përgjegjës për procesin Evropian, për reformat që janë të nevojshme për të ecur përpara”, tha Zhbogar.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Teuta Sahtqiu tha se ndër arsyet kryesore për mos hyrjen e Kosovës në BE, është mos koordinimi i grupeve punuese për hyrjen në BE dhe delegacionet që përfaqësojnë Kosovën në mbledhjet e Evropës, të cilat për dallim prej delegacioneve të shteteve tjera, nuk janë permanente.

“Ne kemi propozuar që ky komision të jetë i përbërë prej komplet komisionit të integrimeve dhe të shtohen edhe anëtarët nga komisione tjera të cilët kanë të bëjnë më së shumti me MSA…mendoj që njëra prej arsyeve është edhe një mungesë e koordinimit të duhur në mes të akterëve… Ne kemi shumë trupa që merren me integrime evropiane por mungon ai koordinimi i mirëfilltë i këtyre trupave…Kosova ende nuk i ka delegacionet permanente…ajo që po pengon shumë në aspektin e Kuvendit është që në çdo mbledhje të radhës të Evropës, shkojnë delegacione të ndryshme. Shtetet të cilat janë anëtare, kanë delegacione permanente”, tha Sahatqiu.

Kurse, zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi, tha se prioritete afatshkurta për këtë ministri janë nënshkrimi i MSA-së dhe liberalizimi i vizave.

“Ky vit ishte një vit me një dinamik të shtuar në agjendën evropiane…roli i komisionit për integrime evropiane në Parlamentin e Kosovës është i pazëvendësueshëm dhe esencial.. dy prioritetet tona afatshkurtra është nënshkrimi i MSA-së dhe kryerja me sukses e procesit të liberalizimit të vizave. Këto janë dy prioritete që hapin derën për mundësi shumë më të mëdha…me nënshkrimin e MSA-së Kosova do të ketë qasje në disa programe të rëndësishme të Bashkimit Evropian”, tha Ilazi.

Shpërndaje në rrjete sociale