Gjatë vizitës së saj në Tiranë, krahas takimit me kryeministrin Edi Rama kancelarja Merkel është takuar sot pasdite edhe me presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani.
Pas takimit që ka zgjatur për rreth 25 minuta pa praninë e kamerave, zyra e shtypit e Presidencës bën të ditur se Presidenti Nishani i ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimet kancelares Merkel, në emër të qytetarëve shqiptarë për vëmendjen e mbështetjen që ajo dhe Gjermania në tërësi po i japin Shqipërisë si dhe për kontributin e madh ndër vite që institucionet dhe populli gjerman kanë dhënë për zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e institucioneve demokratike në Shqipëri.
Duke theksuar se sot është një ditë historike për marrëdhëniet mes dy vendeve, kreu i shtetit shqiptar u shpreh se “kjo vizitë përbën një mesazh të rëndësishëm inkurajues për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë, të cilët shohin tek Gjermania një vend simbol të punës, dinjitetit dhe prosperitetit”.
Nga ana e saj, kancelarja gjermane u shpreh se: është “tejet e impresionuar nga përparim i bërë nga Shqipëria pas viteve 1990-të, duke ditur dhe kuptuar vështirësitë historike nga jeni nisur dhe çka keni arritur deri më sot”.
Presidenti Nishani e garantoi kancelaren Merkel se Shqipëria është e vendosur të vijojë me rrugën e reformave për konsolidimin e institucioneve demokratike që do të çojnë vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se “integrimi evropian mbetet alternativa e vetme për Shqipërinë dhe shqiptarët”.
Presidenti i Republikës theksoi se ndërtimi i institucioneve efikase dhe kultura demokratike janë dy sfidat madhore të vendit, dhe në këtë kontekst kërkoi vijimin e mbështetjes gjermane. Gjithashtu Presidenti siguroi se ndër 5 prioritetet e integrimit evropian, përparësi të veçantë merr reforma në drejtësi, duke e garantuar kancelaren Merkel për angazhimin e tij maksimal në çuarjen e kësaj reforme përpara.
Kancelarja Merkel vuri në dukje se përkundër pretendimeve për një lodhje evropiane ndaj zgjerimit, ajo çfarë e shpejton procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe vendeve të tjera janë reformat e thella e të suksesshme.
Kreu i shtetit u shpreh se procesi i nisur një vit më parë në Berlin, me nismën e kancelares, e që do të vijojë këtë vit në Austri, i ka dhënë një vizion dhe optimizëm të ri bashkëpunimit rajonal, duke prodhuar një komunikim, bashkërendim dhe koordinim më të mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Lladrovci uron Krishtlindjen: Ditë për të kujtuar e vlerësua...
MMPHI në gatishmëri për reshjet e borës, nis kriposja dhe pa...
Berisha uron Krishtlindjen: Le të festojmë me besim dhe shpr...
KQZ e ndalon votimin familjar, thotë se është vepër penale
Lucas Hernandez shkruan historinë me trofetë e fituar në kar...
Krishtlindja/ Princesha e Uellsit, Catherine dhe vajza e saj...