Me shumicë votash, Kuvendi i Fizioterapeutëve të Kosovës zgjodhi Dafina Ibrahimin për kryetare të kësaj ode në Kuvendin e parë dhe inaugurues të saj, që u mbajt sot në Prishtinë.
Ajo mori 45 vota kundrejt 12 votave të cilat i mori kundër-kandidati Naser Lahu, në një garë për kreun e kësaj ode, ku pas përfundimit të procesit zgjedhor, kundër-kandidatët kanë përgëzuar njëri -tjetrin dhe kanë ofruar përkrahje dhe bashkëpunim në interes të ngritjes dhe zhvillimit të kësaj ode, thotë kumtesa nga MSh.
Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, duke përshëndetur punimet e Kuvendit të Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës, tha se me mbajtjen e këtij kuvendi dhe zgjedhjen e kryetarit të saj, po përmbyllet cikli i themelimit të pesë odave të profesionistëve shëndetësor, i paraparë sipas Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësor në Republikën e Kosovës.
Për ecurinë e procesit përgatitor Odën e Fizioterapeutëve të Kosovës ka folur kryetari i KQZ-së për Odat e Profesionistëve Shëndetësor, profesori Hysni Bajrami, ndërkohë që Kuvendi i Odës është përshëndetur edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së, dr. Gani Shabani, kryetari i Odës së Farmacistëve, Zehadin Gashi, kryetari i Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësor, Naser Rrustemi, si dhe drejtoresha e Klinikës së Mjekësisë fizikale me rehabilitim, dr. Hajrije Hundozi.
Ndërkaq, pas shpalljes fituese, kryetarja e Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës, Dafina Ibrahimi u zotua se do të jetë e përkushtuar që të punojë ngusht me të gjithë anëtarët e Kuvendit të Fizioterapeutëve , komunitetin e kësaj fushe dhe Ministrinë e Shëndetësisë, me qëllim të avansimit të kësaj ode, marrjen e përgjegjësive dhe mbrojtjen e interesave profesionale të fizioterapeutëve të Kosovës.
Me konstituimin e kësaj Ode, Ministria e Shëndetësisë, përmbyll ciklin e themelimit të pesë odave profesionale, që nisi me themelimin e Odës së Mjekëve më 10 nëntor 2013; Odën e Farmacistëve më 27 qershor 2014; Odën e Stomatologëve më 25 nëntor 2014; Odën e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësor më 24 janar 2015 dhe sot më 8 korrik 2015, Odën e Fizioterapeutëve të Kosovës.
Vdekja e babait të Calit, Gucati: Dhimbja bëhet më e thellë ...
Haxhiu uron Krishtlindjen: Le të sjellë ngrohtësi në zemra d...
Abdixhiku: Kosova e shqiptarët e saj kanë qenë shembull i ha...
Kurti uron Krishtlindjen
Internacionalja Socialiste mbështet VV-në dhe Albin Kurtin n...
Përparim Rama pret në takim Dafina Zeqirin, i dhuron “Hyjnes...