Jahjaga në KFOR: Kosova, e përkushtuar të implementojë marrëveshjet e Brukselit

17:32 | 6 Korrik 2015
M. A.

Presidentja Atifete Jahjaga, me nderime të larta ushtarake nga garda e nderit e KFOR-it, u prit të hënën nga komandanti i forcës paqeruajtëse në Kosovë, KFOR, gjeneralmajori Francesco Figliuolo, në selinë e KFOR-it në kampin “Film City” në Prishtinë.

Në takimin që Jahjaga zhvilloi me Figliuolo, e para e shtetit tha se Kosova është e përkushtuar për dialogun dhe implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Kosova është një demokraci në zhvillim dhe ajo është duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore në rajon, përfshirë edhe angazhimin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Serbinë. Kosova është e përkushtuar për dialogun dhe implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, që lehtësojnë jetën e qytetarëve, relaksojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe i përafrojnë ato me integrimet euroatlantike”, citohet të ketë thënë Jahjaga, raporton Koha.net.

Dy bashkëbiseduesit folën edhe për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe forcave paqeruajtëse, për aktualitetin politik në Kosovë, përfshirë edhe zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë dhe ato socio-ekonomike.

Presidentja ka theksuar rolin e rëndësishëm të forcave të KFOR-it në ruajtjen dhe garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në gjithë territorin e Kosovës dhe në vendosjen e lidhjeve ndërmjet komuniteteve. Ajo tha se Kosova ka arritur të ndërtojë një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe demokratike dhe po promovon paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë.

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Francesco Figliuolo, duke falënderuar presidenten Jahjaga për vizitën dhe bashkëpunimin që institucionet e Kosovës kanë me forcat paqeruajtëse, tha se procesi i stabilizimit është në një trajektore pozitive. Ai tha se KFOR-i do të jetë i përkushtuar dhe vigjilent derisa zbatimi i marrëveshjeve të jetë i pakthyeshëm.

Presidentja Jahjaga dhe gjenerali Figliuolo theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ndërsjellë edhe në të ardhmen, marrë parasysh se forca paqeruajtëse KFOR është një prej institucioneve më të respektuara ndërkombëtare në mesin e popullatës së Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale