Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesit e CDU/CSU-së në Bundestagun gjerman, të kryesuar nga Franz Josef Jung, si dhe zyrtarët e Konrad Adenauer Stiftung.
Pas takimit, Mustafa theksoi se gjatë takimit me deputetët e CDU/CSU është biseduar për çështjet aktuale në Kosovë dhe bashkëpunimin e Kosovës me Gjermaninë, si dhe për integrimet evropiane të Kosovës.
“I hapëm shumë nga këto tema, temat e liberalizimit të vizave, të nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim, të dialogut, pastaj të aprovimit të ndryshimeve kushtetuese të cilat do të mundësojnë themelimin e Dhomave të Veçanta. Po ashtu ishte temë shumë e rëndësishme edhe ajo e bashkëpunimit ekonomik të Kosovës me Gjermaninë, bashkëpunim i drejtpërdrejtë i cili mund të zhvillohet përmes investimeve të drejtpërdrejta të firmave gjermane në Kosovë. Për bashkëpunimin me landet në mënyrë që të zgjidhen disa nga investimet dhe projektet që janë të rëndësishme për Kosovën dhe tek të cilat mund të gjejmë përkrahje tek ekonomia gjermane dhe te landet gjermane”, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi se ka marrë përkrahjen edhe të Kancelares Merkel në këtë drejtim, ndërsa ka theksuar se në takimin e fundit me përfaqësuesit e CDU/CSU-së në Bundestagun gjerman janë hapur po ashtu temat e investimeve në energji.
“Është diskutuar konkretisht për iniciativën gjermane për rekonstruimin e Termocentralit “Kosova A” dhe sot do të kemi edhe një takim me udhëheqjen e kësaj firme. Kemi biseduar po ashtu edhe lidhur me punësimin e përkohshëm i cili mund të bëhet në marrëveshje me landet në Gjermani të një pjese të kuadrove të cilat ne i kemi atje. Është hapur edhe çështja e fondit të përbashkët kosovaro-gjerman, që ka qenë edhe iniciativë e ministrit të zhvillimit ekonomik të Gjermanisë që ishte para një muaji në Kosovë. Poashtu sot kemi pas një takim me disa nga bizneset e rëndësishme gjermane të cilat deri më tani kanë pas kontakte në Kosovë. Kemi biseduar me ta për Termocentralin e ri “Kosova e Re”, që mund të sigurohet që ata të bashkëpunojnë me firmën amerikane sa i përket implementimit të saj”, ka thënë më tej Mustafa.
Mustafa bëri me dije se është diskutuar edhe për rëndësinë që do të kishte angazhimi i firmave gjermane në rekonstruimin e hekurudhës nga Hani i Elezit deri në Leshak, sepse, siç tha ai, “do të hyjmë në marrëveshje me Bankën Evropiane për Zhvillim, me Bankën Evropiane për Investime si dhe me përkrahje të Bankës Gjermane për Zhvillim edhe në këtë projekt”.
“Dhe kemi biseduar edhe për projekte të tjera të cilat do të jenë si vazhdim i forumit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që është themeluar me iniciativën e Kancelares gjermane vitin e kaluar këtu në Berlin, do të vazhdoj sivjet në Vjenë, dhe pastaj vitin e ardhshëm do të shkojmë në Paris që të vazhdojmë me projektet e reja”, tha kryeministri Mustafa.
“Ungjilli u shpall nga Jerusalemi në Iliri”, Osmani për Kris...
Arrestohet presidenti i Fenerbahçes, nën hetim për përdorim ...
Mijëra njerëz mblidhen në Betlehem, ringjallin frymën e Kris...
Shqipëri/ Rriten rastet e dhunës dhe bullizmit në shkolla
Arrestohet 29-vjeçari që vodhi para në një xhami në Ferizaj
Ministri Sallahu nënshkruan Projektkodin e etikës për Eksper...