Prifti Thaqi: “Vëllai i madh” tek shqiptarët janë katolikët

16:54 | 27 Qershor 2015
M. A.

Nga historia e trashëguar, gjithmonë është thënë që “vëllai i madh” tek shqiptarët janë katolikët, sepse ata qëndruan si burra kundër turkut e kundër çdo pushtuesi, thotë prifti katolik, Don Jeton Thaqi nga Prishtina, i cili me këto fjalë i drejtohet hoxhës Osman Musliu nga Drenasi.

Reagimi i priftit Thaqi përmes një postimi në Facebook, vjen pasi që hoxha Osman Musliu nga Drenasi në emisionin “Komiteti” i ka quajtur myslimanët “vëllezër të mëdhenj” të katolikëve, me çrast debatohej për rastin e Llapushnikut, kundërshtimet rreth ndërtimit të varrezave dhe kishës katolike atje.

Lexojeni të plotë postimin e priftit Don Jeton Thaqi në Facebook:

 

Hoxhë Osmanit nga Drenasi dua t’ia them tri fjalë:

 

  1. Dëshmia që jemi vëllezër të një kombi, gjuhe dhe kulture është pasuria më e madhe e përbashkët që ne klerikët kemi, por përdorimi i fjalës “vëlla” si metaforë në mes të dy besimeve s’duhet të përdoret ose në rast se përdoret atëherë le të përdoret në domethënien e vërtetë që ka. Kjo metaforë “vëllai i madh” dhe “vëllai i vogël” gjithmonë është përcaktuar tek tradita jonë në bazë të moshës e jo në bazë të numrit të anëtarëve të familjes që secili vëlla ka pasur. Nga historia e trashëguar, gjithmonë është thënë që “vëllai i madh” tek shqiptarët janë katolikët, sepse ata qëndruan si burra kundër turkut e kundër çdo pushtuesi. Duhet të sqarosh se në bazë të cilave kritere po i quan besimtarët e besimit islam si “vëllai i madh”. I vetmi kriter i pranueshëm do të ishte nëse i mendon se ata qenë të parët që braktisën shtëpinë amë dhe ju nënshtruan pushtuesit.

 

  1. Nëse në atë kohë s’kishte komb në kuptimin e sotshëm, megjithatë ka pasur popull, ka pasur gjuhë, ka pasur kulturë, ka pasur gjak shqiptari. Të thuash që Skënderbeu nuk është heroi im, nëse ka vra mysliman, je kontradiktorë me veten. Do ju këshilloja me thënien e Ismail Kadaresë “kujtesa është sistemimi i ndërgjegjes”. Ju kujtoj që e gjithë shpura ushtarake otomane që sulmuan, shkatërruan e dogjën trojet tona i përkisnin besimit islam. Të thuash që në atë kohë s’ka pasur komb është po ashtu hipokrizi. E në tjetrën anë është e qartë dhe dihet se qëllimi i tij s’ka qenë të luftoj islamin, por të mbrojë trojet e veta, kulturën, gjuhen, traditën, qytetërimin…etj. Pra mohimi i Skënderbeut është mohim i vetvetes, është mos pranim i të qenurit shqiptar. E në këtë drejtim, mjerisht, nuk jeni i pari që po distancoheni nga figurat më të çmuara të kombit tonë.

 

  1. Pse nuk u sqarove mirë? Pse është e nevojshme, kur të ndërtojmë varreza, kisha, vende tjera të kultit të kërkojmë leje nga hoxha i vendit? Në çfarë shteti jetojmë ne? Cilat janë institucionet gjegjëse në këtë drejtim? Kush është kompetent në këtë fushë? Sa “leje” duhet më i kërkua?(sic), ka shkruar Don Jeton Thaqi.

Shpërndaje në rrjete sociale