Ish- gjyqtari i EULEX-it, italiani Francesko Flori, i cili ishte hetuar për përfshirje në afera korruptive, javën e kaluar ka vizituar Gjykatën e Apelit.
Ish-gjyqtari Flori, për dy vjet radhazi ishte hetuar nga një prokuror vendor dhe një ndërkombëtar, lidhur me pretendimet se i njëjti kishte marrë ryshfet nga të pandehurit, familjet, apo avokatët e tyre në rastet ‘Shpërthimi në Bill Clinton’ dhe ‘Baftiu – Vrasja e trefishtë’.
Ende nuk dihet se cili ishte qëllimi i vizitës së gjyqtarit Flori dhe kënd saktësisht e ka takuar ai gjatë kësaj vizite, mirëpo qëndrimin e tij në Gjykatën e Apelit e kanë konfirmuar për ‘Arbresh.info’, zyrtarë të kësaj gjykatë.
Zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari ka thënë se italiani Francesko Flori, kishte qëndruar në vizitë brenda objektit të gjykatës rreth një orë .
“Është e vërtetë se gjyqtari në fjalë ka qenë te premten me 17.03.2017 në Gjykatën e Apelit. Në bazë të informatave qe kemi marr nga sigurimi i objektit, rezulton se ai ka hyrë në objekt bashkë me disa gjyqtarë të EULEX-it, rreth orës 10: 30 dhe ka dalë pas një ore”, është shprehur Jashari.
Megjithatë, Jashari ka mohuar që i njëjti të ketë takuar kreun e kësaj gjykate, Hasan Shala.
“Mund të konfirmoj se as kryetari as nën kryetari i Gjykatës se Apelit nuk kanë qenë të informuar për këtë vizitë. Po ashtu është më rendësi ta dini se në objektin e Gjykatës së Apelit operon edhe një pjesë e stafit të EULEX-it si dhe Zyra e Prokurorit Disiplinor”, ka thënë Jashari.
Ndryshe, dy prokurorë të Prokurorisë Speciale, Andrew Hughes dhe Haki Gecaj, në nëntor të vitit të kaluar patën pushuar hetimet kundër ish-kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Francesko Florit, avokatëve Mahmut Halimi dhe Azem Vllasi si dhe Afet Cenës, i afërm i Nysret Cenës, i akuzuar në rastin e vrasjes së trefishtë.
Hetimet ndaj tyre kishin pushuar me pretendimin se “Provat që ishin mbledhur gjatë hetimeve kishin dëshmuar se ish-gjyqtari i EULEX-it Francesko Flori nuk ka kërkuar e as pranuar asnjë lloj ryshfeti, e as nuk ka marrë premtim për ryshfet nga të pandehurit në rastet ‘Shpërthimi në Bill Clinton’ dhe ‘Baftiu – Vrasja e trefishtë’, nga familjet, apo avokatët e tyre.
Megjithatë, në kuadër të këtyre hetimeve penale, Prokuroria Speciale ishte përqendruar vetëm në pretendimet për korrupsion, prova të cilat sipas saj, nuk dëshmonin se ish-gjyqtari i EULEX-it ka kryer veprat penale për të cilat po hetohej.
Ndërsa në hetim nuk ishin përfshirë bazat meritore të asnjë aktgjykimi të nxjerrë prej trupave të ndryshëm gjykues për rastet “Shpërthimi në Bill” dhe “Baftiu – Vrasja e trefishtë”, për të cilat pretendohej se Flori kishte marr ryshfet.
Shpërthimi i këtij skandali kishte bërë bujë mediale në Kosovë dhe mediat ndërkombëtare. / Arbresh.info/Gita Lushi
Moti sot i vranët dhe me intervale me diell
Policia e ndjek nëpër mal dhe e kap të dyshuarin që e dogji ...
Grabitje e armatosur në një barnatore në Pejë, dy të dyshuar...
Juventusi interesohet për shërbimet e portierit të klubit të...
Kurti: Kriminelët e mëdhenj serb ose janë në burgun e Dyzit,...
Kurti “punëson” gjyshërit: Nga 100 euro shtesë për ata që ku...