Nënë e bir nuk kanë festë, jetojnë në një barakë të shkatërruar

13:24 | 31 Dhjetor 2016
M. A.

Me bukë e vegetë, në një barakë me minj e insekte të ndryshme, nënë e bir të familjes Avazi do të presin ardhjen e vitit të ri 2017.

Gjyleza Avazi dhe djali i saj 18 vjeçar Egzoni, jetojnë në një barakë të vendosur prapa stadiumit në Prishtinë me kushte jashtëzakonisht të këqija. Në dhomën e vetme qe kanë në të cilën hanë, pinë dhe flenë, në çdo cep dominon myku dhe lagështia, transmeton arbresh.info

“Në të gjitha anët po pikë ujë, në dhomë të gjumit, në banjë, në korridor. Është shumë ftoftë, e kemi një nxemje veç një tel i punon”, rrëfen e zonja e shtëpisë për portalin “Arbresh.Info”.

img_7258aa

E vetmja ndihmë që ka familja Avazi është ndihma sociale prej 73 eurosh, të cilat sipas Gjylezasë nuk i mjaftojnë për asgjë.

“Marr ndihmë sociale 73 euro e cila nuk më mjafton për asgjë. S’kom mundësi as qysh me investu e me ndreq pak dhomën ku flej, me la mykun, buba e minj gjithçka dalin”, thotë ajo me lot në sy.

Djali i saj Egzoni është në klasën e nëntë. Nëna e tij thotë se nuk ka as rroba të mjaftueshme për të veshur në dimër.

“Djali i ka 18 vjet e shkon në klasë të 9, nuk ka as rroba të mjaftueshme me vesh. Tash është dimri dhe ftoftë, ai ka me u mërdhi se nuk ka as jakne për dimër”.

foto-1-per-reportazh

Ajo tregon se ka kërkuar mëshirë nga të gjitha institucionet për t’ia ndërtuar një shtëpi, por askush nuk i ka ndihmuar që ta largojë nga ajo barakë.

“Jam konë në komunë e institucione tjera me u anku po kërkush nuk po na ndihmon”.

Avazi rrëfen se baraka në të cilën ata jetojnë qe 10 vite nuk është tyre, por e një serbeje e cila u kërkon ta paguajnë qiranë.

“Kjo barakë është e një shkine. Ajo ka nejt ma herët këtu po ka shku. Edhe ajo po na lyp pare me pagu po s’kom ku mi marr. Nëse na qet ajo s’di as ku me shku”.

foto-5-per-reportazh

Për zonjën Avazi nuk është problemi i vetëm ushqimi dhe banimi, ajo vuan edhe nga një sëmundje për të cilën i duhen ilaçe.

Kërkesa e zonjës Avazi ishte që t’u ndërtohet një shtëpi, por më së shumti e brengos e ardhmja e djalit të saj.

“S’po du send ma shumë veç një shtëpi me pas, nuk  e kom për veti po për qet djalë. Burri më ka vdekë qe 4 vjet. I lus të gjithë ata që kanë mundësi me na ndihmu sadopak”, ishin fjalët e fundit të zonjës./M.Avdimetaj/Arbresh.info

foto-4-per-reportazh foto-2-per-reportazh

Shpërndaje në rrjete sociale