Dikur institucioni i Policisë së Kosovës ishte ndër më të besuarit në Republikën e Kosovës, por viteve të fundit përfshirja e një numri të madh të zyrtarëve policorë në vepra të ndryshme penale, duket se ka zbehur këtë besueshmëri.
Ani pse janë të thirrur për të mbrojtur rendin dhe ligjin, disa zyrtarë policorë, janë vetë ata të cilët po kryejnë vepra të ndryshme dhe të rënda penale, raporton Arbresh.info.
23 zyrtarë policorë janë suspenduar, shtatë prej tyre kanë përfunduar në pranga të hetuesve të Inspektoratit Policorë të Kosovës (IPK) nën dyshimin e përfshirjes së tyre në vepra të ndryshme penale vetëm gjatë katër mujorit të parë të këtij viti.
Krejt këto sipas të dhënave të IPK-së , raporton Arbresh.info.
Duke u bazuar në të dhënat e viteve paraprake, viti 2022 shënon numrin më të lartë të zyrtarëve policorë të arrestuar dhe suspenduar, pasi vetëm në një rast ishin arrestuar 48 zyrtarë policorë, nën dyshimin për vepra të ndryshme në kontrabandë si “marrje e ryshfetit”.
Hiq më pak e as më shumë se 164 zyrtarë policorë ishin suspenduar, 108 prej tyre ishin arrestuar për shkelje të ndryshme ligjore gjatë vitit 2022.
Ndërsa, nga 2023 ka pasur ka pasur një rënie të ndjeshme të numrit të rastet e përfshirjes së zyrtarëve policorë në vepra penale.
Sipas të dhënave të IPK-së 71 zyrtarë ishin suspenduar gjatë vitit 2023, si dhe 35 prej tyre ishin arrestuar për shkelje të ngjashme.
Ndërsa një vit më vonë, në vitin 2024, numri i gardianëve të shtetit që kanë shkelur ligjin, rritet sërish, nga 71 sa ishte në 2023, në mbi 90 zyrtarë policorë.
“91 zyrtarë policorë janë suspenduar, ndërsa 22 të tjerë janë arrestuar për shkelje të ligjit. Të paktën kështu kanë bërë të ditur Inspektorati Policor të Kosovës në një përgjigje për mediumin Arbresh.info.
Shala: Policia e Kosovës është në krizë serioze
Këto raste po shihen si shumë serioze, për njohësin e çështjeve të sigurisë në vend, Drizan Shala.
Sipas tij, incidentet e përsëritura, të cilat përfshijnë dhunën dhe keqpërdorimin e detyrës nga zyrtarët policorë, janë shenja të një dështimi të kontrolleve të brendshme dhe të etikës profesionale.
“Situata tregon për një krizë serioze brenda sistemit të sigurisë publike, konkretisht në radhët e Policisë së Kosovës. Incidentet e përsëritura, përfshirë rastet e dhunës, keqpërdorimit të detyrës dhe veprimeve kriminale nga zyrtarët policorë, sinjalizojnë jo vetëm dështim të mekanizmave të kontrollit të brendshëm, por edhe një dobësim të etikës profesionale dhe disiplinës”, thotë ai.
Ai, rekomandon një hetim të thelluar për të verifikuar lidhjet e mundshme të zyrtarëve me rrjete kriminale dhe korrupsionin.
“Të nisë menjëherë një verifikim i profilit të gjithë pjesëtarëve të Policisë me fokus në korrupsion, lidhje të mundshme me rrjete kriminale dhe integritet profesional. Pastrimi institucional (vetting): Një proces rigoroz vlerësimi përmes strukturave të pavarura, me përfshirje ndërkombëtare në fazën fillestare. Rritja e përgjegjësisë komanduese: Drejtuesit rajonalë dhe komandantët e njësive duhet të mbajnë përgjegjësi për sjelljen dhe profesionalizmin e vartësve të tyre. Ky institucion duhet të pajiset me mjete operative dhe përkrahje ligjore për hetime efektive vazhdueshëm”, thotë tutje Shala.
Situata aktuale në Policinë e Kosovës, sipas tij, është pasojë e një kombinimi faktorësh të grumbulluar ndër vite, duke shtuar se politizimi i strukturave të sigurisë dhe emërimet jo-meritokratike janë disa prej shkaktarëve kryesorë.
“Kjo është pasojë e një kombinimi faktorësh të grumbulluar ndër vite: Politizimi i strukturave të sigurisë dhe emërimet jo-meritokratike. Nevoja për shtrirje të shpejtë pas shpalljes së pavarësisë, e cila në disa raste ka rezultuar në rekrutime pa standarde të larta për verifikim. Rrëshqitje etike dhe mungesë ndëshkueshmërie të brendshme, duke e normalizuar sjelljen devijonte. Dështimi për t’u përballur me infiltrimin e grupeve me interesa të errëta”, përfundon ai.
Ish- drejtori i Policisë së Kosovës, dhe nënkolonel në pension, Refki Morina, thotë ka kritere të qarta për pranimin e kandidatëve, përfshirë ato fizike, psikologjike, profesionale dhe morale.
Sipas tij, “filtrimi” i kandidatëve përmes sjelljeve të papërshtatshme nuk është pjesë e proceseve të pranimit dhe nuk ka ndikim në përzgjedhje.
“Në institucionin e sigurisë siç janë Policia dhe Ushtria ka kritere të qarta për pranimin e kandidateve përfshire ato fizike , psikologjike , profesionale dhe morale . Filtrimi në kuptimin e sjelljes filtruese ose tërheqjes romantike , nuk është pjesë e kritereve të pranimit dhe as nuk ka ndonjë ndikim. Të drejtpërdrejtë apo te pranueshëm në procesin e përzgjedhjes. Pranimi në këto institucione bazohet tek kualifikimi arsimor testet shëndetësore dhe fizike , testet psikologjike , testet me shkrim dhe intervistat dhe ajo qe është një ndër kushtet është verifikimi i së kaluarës për vepra penale dhe atë morale”, thotë ai.
Ai pohon se për t’u rikthyer, zyrtari policor, i cili është larguar nga detyra për çështje të ndryshme, duhet të kalojë një proces të ri-pranimi dhe të plotësojë disa kushte të qarta, përfshirë aplikimin si kandidat i ri.
Ndërsa, një zyrtarë për tu rikthyer në vendin e tij të punës, nuk duhet të ketë pasur shkelje të rënda disiplinore ose procese penale gjatë kohës që ka shërbyer, si dhe nuk duhet të jetë përjashtuar nga policia për arsye ligjore.
“Një zyrtar policor qe është larguar vite ma pare ose qe ka dhëne dorëheqje mund te kthehet por kjo s’ndodhe automatikisht ai duhet te kaloj një proces te ri pranimi dhe të plotësoj disa kushte qe janë : aplikimi si kandidate i ri , të mos ketë pas shkelje të rënda disiplinore apo proces penal gjate kohës sa ka qenë në shërbim, të mos jete përjashtuar nga policia për arsyeje ligjore , te ketë moshën qe kërkohet ne konkurs dhe gjendje te mire shëndetësore e fizike , te kaloje me sukses testet e pranimit si atë : psikologjike , fizike, me shkrim- intervista etj. Vendimi për rikthim është në diskrecion të Policisë se Kosovës si dhe varet nga nevoja për stafe , politika e brendshme dhe vlerësimi i kandidatit”, thotë ai.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka më shumë se një vit që ka ndryshuar planin e trajnimit profesional të policëve të rinj, duke e reduktuar kohëzgjatjen nga gjashtë muaj në tre muaj. /Arbresh.info/Edona Krasniqi/
Netanyahu mund të jetë larguar për në Greqi për shkaqe sigur...
Rreth 80 të vrarë e mbi 300 të plagosur nga sulmet e Izraeli...
Izraeli apo Irani? Kush ka ushtrinë më të fortë në rast të n...
Gjykata Speciale arrin marrëveshje me Belgjikën: Personat e ...
Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet sot për Iranin
Gjendet i vdekur Avni Agushi, 72-vjeçari i zhdukur prej dy d...