Kosova e varfër për sportet ekstreme

15:00 | 11 Prill 2016
M. A.

As parqe e as salla për ushtrime dhe praktikë. Ky është fati që kanë shumë djem e vajza që praktikojnë sportin ekstrem ‘Parkour’ në Kosovë. Përkundër interesimit të të rinjve institucionet e vendit nuk kanë arritur që të krijojnë kushte edhe për këtë sport jo edhe aq të pranishëm.

Parkour, është një lloj sporti i cili ndërlidhet edhe me art dhe përmes të cilit të rinjtë ngjiten në ndërtesa apo objekte të larta duke krijuar në të njëjtën kohë stile të ndryshme.

Ndonëse në Prishtinë mund të shohësh pak më shumë interesim, hiq më pak të interesuar janë edhe të rinjtë tjerë anembanë Kosovës.

Ardit Hasangjekaj, i cili merret me sporte ekstreme, konkretisht me parkour thotë se të rinjve po u zbehet interesimi si pasojë e mungesës së kushteve.

 

“Askush nuk është duke na ndihmuar ose duke na financuar në këtë sport, kemi shumë probleme sepse nuk ka vend për me u praktiku, nuk ka salla ose parqe të ndryshme ku mund të shkosh. Në shumicën e vendeve ka edhe munden me arrit shumë ma shumë, për këtë arsye ndoshta jemi edhe në një nivel më u lët në krahasim me shtetet e tjera. E vetmja mënyrë është se kemi dëshirë për me e bo këtë sport. Ndodh ndonjëherë teatri me na thirr”, tha Hasangjekaj

Hasangjekaj pavarësisht vështirësive që i ka hasur, ka arritur që të fitoj vendin e parë në garat ndërkombëtare që janë mbajtur në Pejë.

 

“Kanë qenë dy gara këtu në Kosovë që janë mbajtur, njëra ka qenë internacionale ku kanë marr pjesë shumë atletë nga vendet e jashtme edhe njëra ka qenë ndërkombëtare që e kemi mbajtur në Pejë…Gara që është mbajt në Pejë e kam zënë vendin e parë, po ashtu edhe një shok prej grupit tonë e ka zënë vendin e tretë”, tha Hasangjekaj.

Ideja apo inspirimi për t’u marr me këtë lloj sporti, Fitim Krasniqit, i ka ardhur nga aktorët të cilët kanë ushtruar këto s porte në filma.

 

“Me këtë sport kam filluar me u praktiku prej moshës 12-13 vjeçare, kur kam qenë i ri dhe prej asaj kohës,nuk jam ndalur asnjëherë…Inspirimin prej filmave domethënë aktorëve që i kanë praktiku këtë lloj sporti nëpër filma, më ka pëlqyer, ia kom nisë me praktiku edhe prej asaj kohe ia kom nisë me e praktiku”, tha Krasniqi.

Megjithatë interesimi i të rinjve për këtë sport vazhdon të jetë, madje edhe nga vajzat.

 

“Po në vendin tonë ka edhe në qytete të tjera që e praktikojnë këtë sport dhe ia ka nisë me u përhap në masë edhe më të madhe se sa vitet e kaluara…Në grupin tonë “Parkour school Prishtina” veç ka vajza të interesuar dhe ia kanë nise me u praktiku”, tha Krasniqi.

Praktikuesit e këtij sporti kanë edhe një mesazh për të gjithë ata që dëshirojnë të merren me këtë sport. ‘Nuk ka rëndësi mosha, mjafton të kesh pasion dhe vullnet dhe mund të ia dalësh’.

Shpërndaje në rrjete sociale