Afër 20 mijë euro gjobë për ata që dëmtojnë pyjet

15:55 | 9 Mars 2016
M. A.

Duke qenë se ka ende prerje ilegale të mëdha të pyjeve në Kosovë, Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përveç masave të shumta mbrojtëse që ka marrë për ruajtjen e pyjeve dhe ndjekjen e prerëve ilegalë ka hartuar Projektligjin e ri për pyjet i cili do të parasheh dënime më të mëdha për të gjithë ata që dëmtojnë në forma të ndryshme pyjet e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi.

Ai ka thënë se projektligji është në finalizim dhe ka treguar për disa nga gjobat e reja që do të vendosen. Sipas tij, me këtë ligj, Agjencia e Pyjeve do të ketë kompetenca më të mëdha dhe të qarta në menaxhimin e pyjeve.

“E kemi parë së dënimet e vogla që kanë dhënë gjykatat për prerësit ilegalë kanë kontribuar që prerjet të mos ndalen dhe të njëjtit persona kanë përsëritur veprën. Gjithashtu këto lëndë nuk trajtohen më shumë prioritet. Ne kemi me mijëra denoncime që kemi bërë por shumë prej tyre ende nuk janë vendosur. Në këtë drejtim besoj se në të ardhmen duhet të ketë një trajtim më të madh ndaj këtyre lëndëve”, ka thënë Krasniqi.

“Projektligji është në finalizim dhe gjobat që kemi paraparë shkojnë deri në 20 mijë euro”, ka shtuar ai.

Sipas projektligjit, që natyrisht do të kalojë për miratim në qeveri dhe kuvend, me gjobë prej 5.000€ deri në 20.000€, dënohet personi fizik apo juridik për kundërvajtje nëse në pyjet e mbrojtura:

1.1. Shkakton dëme vegjetacionit ose tokës pyjore sipas nenit 34 tё këtij ligji;
1.2. Bënë ndërtimin pa leje të objekteve në pyje apo tokë pyjore sipas paragrafi 1, nёn-paragrafit  1.12 të nenit 34 të këtij ligji.
1.3. Bënë ndërrimin e destinimit të pyllit dhe tokës pyjore në kundërshtim me ligjin sipas nenit 13 të këtij ligji.
2.  Me gjobë prej 2.000€ deri 12.000€, dënohet personi fizik dhe juridik për kundërvajtje, nëse në pyje dhe toka pyjore:
2.1.  Bën shkretimin, prerjen e pastër të pyllit, ndërrimin e destinimit të pyllit dhe tokës pyjore, shfrytëzimin e dheut, humusit, gurëve, zhavorrit, uzurpimin, ndërtimin e objekteve, infrastrukturës tjetër, deponimin e mbeturinave, materialeve toksike, në kundërshtim me nenin 34 dhe nenit 15, paragrafi 2, tё këtij ligji;
2.2.  Nuk e  zbaton projektin e  ri-kultivimit,  sipas nenit 16 të këtij ligji.
3. Me gjobë prej 500€ deri 5.000€, dënohet për kundërvajtje personi fizik apo juridik , nëse nё pyje dhe toka pyjore bënë:
3.1. Ndërrimin e rrjedhës së ujërave  në pyje dhe toka pyjore sipas neni 46, paragrafi 1, i këtij ligji.
4.  Me gjobë prej 500€ deri 7.000€, dënohet për kundërvajtje personi fizik apo juridik nëse në pyje dhe toka pyjore:
4.1. Bënë prerjen e drunjëve në kohën e frytëdhënies së plotë sipas nenit 50, paragrafit 1,  tё këtij ligji;
4.2. Bënë transportimin e drurëve dhe produketeve drunore pa damkë pyjore dhe fletë përcjellëse sipas neni 57 tё këtij ligji;
4.3. Bënë Përpunimin primar të drurit – sharritjen e tyre në kundërshtim me kushtet e përcaktuara sipas nenit 59 të këtij ligji;
4.4. Bënë Ndezjen e zjarreve në pyll sipas nenit 36 të këtij ligji;
4.5.  Nuk i zbaton vendimet dhe urdhëresat për mbrojtjen e pyjeve sipas këtij ligji;
1.6. Dështon të kryhet pyllëzimi sipas vendimit paraprak të organit kompetent sipas nenit 29 dhe 32 të këtij ligji;.

Shpërndaje në rrjete sociale