Memoriali i Adem Jasharit, Rama: Do të jetësohet zëri i heroit legjendar

16:28 | 8 Qershor 2026
H.E

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka shpallur projektin fitues të “Memorialit Përkujtimor Adem Jashari”.

Në një konferencë për media, Rama tha se ndihet i lumtur që ky projekt do të jetësohet në kryeqytet për siç thotë ai, do të jehojë përgjithmonë zëri i Komandantit Adem Jashari.

“Ky është projekti i cili e konceptualizon këtë ide të një hapësire publike. Secili e kemi obligim ta ruajmë dhe ta respektojmë kujtesën historike. Jemi shumë të lumtur që ky proces po ecën përpara dhe se së shpejti do të krijojmë, në zemër të Kosovës, në Prishtinë, një dëshmi të përhershme ku do të jetojë për gjithmonë zëri i komandantit legjendar, Adem Jashari, për gjeneratat e ardhshme, për secilin që vjen këtu, secilin turist, secilin vizitor, edhe atëherë kur ne dikur nuk do të jemi më”, tha Rama.

Tutje, i pari i kryeqytetit theksoi se ky koncept do të funksionoj me zërin e heroit Adem Jashari.

“Ajo, kjo faktikisht koncepti është, qasja e zërit për shembull. Këto janë ato elementet kur thuhet, kur dëgjohet besa-besë, “vetëm një vdekje se tjetër s’ka në këtë jetë”, edhe një fjalë e mirë. Pra, ky është aspekti abstrakt i cili transformohet nëse lexon edhe del zëri faktikisht, zëri i cili edhe i thotë këto fjalë. Pra, nëse i lexon këto fjalë, atëherë ritmi i zërit është i transformuar në hapësirën publike, i cili pastaj po ashtu edhe këtu figuron edhe si fontanë, si element i cili e ka edhe ujin si pjesë të këtij procesi, që ndoshta përfaqëson edhe jetën, edhe një cikël të kësaj jete. E po ashtu edhe një pjesë që të jep qetësi shpirtërore derisa edhe e vizitojnë këtë hapësirën tonë”, tha Rama./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale