Model i ri udhëheqjeje në Hamas pas humbjeve në Gaza

17:46 | 6 Qershor 2026
E H

Hamas po shqyrton krijimin e një strukture të re udhëheqëse kolektive për krahun e saj të armatosur, në një përpjekje për të garantuar vazhdimësinë e komandës pas humbjes së një numri drejtuesish të lartë nga sulmet izraelite.

Sipas raportimeve, ideja përfshin një model të ngjashëm me komitetin drejtues të organizatës në mërgim dhe mund të shërbejë si zgjidhje e përkohshme për drejtimin e Brigadave Al-Qassam.

Plani thuhet se është diskutuar pas vrasjes së disa komandantëve të lartë brenda pak javësh, përfshirë figura kyçe të strukturës ushtarake të grupit.

Burime të cituara nga media arabe Asharq Al-Awsat thonë se ende nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për një vendim përfundimtar apo vetëm një propozim që po shqyrtohet. Megjithatë, theksohet se Hamasi po kërkon të ruajë funksionalitetin e zinxhirit komandues në kushtet e presionit të vazhdueshëm ushtarak.

Paralelisht, strukturat e sigurisë së brendshme të Hamasit po hetojnë dyshimet për bashkëpunim që mund të kenë ndihmuar në eliminimin e disa prej drejtuesve të saj.

Sipas raportimeve, situata ka krijuar vakum të konsiderueshëm në udhëheqje, ndërsa organizata po përballet me sfida të mëdha për ruajtjen e kontrollit dhe koordinimit në terren.

Shpërndaje në rrjete sociale