Costa: KE ka propozuar mbylljen e tre kapitujve negociues me Shqipërinë

19:00 | 5 Qershor 2026
E H

Komisioni Evropian ka propozuar mbylljen e tre kapitujve negociues me Shqipërinë, një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian.

Lajmin e bëri të ditur presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, gjatë konferencës për shtyp pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Tivat.

Costa vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian ka hyrë në një fazë më konkrete dhe më dinamike.

Ai kujtoi se javën e kaluar është mbajtur një Konferencë Ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila hapi një etapë të re në negociatat e anëtarësimit, ndërsa propozimi për mbylljen e tre kapitujve shihet si dëshmi e avancimit të procesit.

Sipas tij, zgjerimi i BE-së mbetet një investim gjeopolitik për paqe, siguri dhe zhvillim në Evropë, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e pandashme e së ardhmes së Unionit.

Costa u bëri thirrje vendeve të rajonit që të përshpejtojnë reformat dhe të shfrytëzojnë momentin aktual për të avancuar drejt anëtarësimit, duke theksuar rëndësinë e harmonizimit me politikat e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Ai gjithashtu nënvizoi bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore si elemente kyçe për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të rajonit, duke rikonfirmuar përkushtimin e BE-së ndaj procesit të zgjerimit./atsh