E ardhmja e Jan Oblak vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara te Atlético Madrid, edhe pse portieri ka kontratë me klubin deri në vitin 2028.
Si çdo verë, spekulimet për largimin e sllovenit janë rikthyer sërish. Oblak është një nga lojtarët më të paguar te Atletico, me një pagë që kalon 10 milionë euro neto në sezon, ndërsa disa zëra brenda klubit mendojnë se paga e tij nuk përputhet më me nivelin aktual të paraqitjeve.
Megjithatë, drejtuesit e klubit e respektojnë plotësisht statusin e tij si legjendë dhe nuk kanë ndërmend ta detyrojnë të largohet. Pas 12 sezonesh në Madrid, Oblak konsiderohet një nga portierët më të mëdhenj në historinë e klubit dhe mban rekordin me gjashtë trofe Zamora në La Liga.
Pas ndeshjes së fundit të sezonit ndaj Villarrealit, portieri kishte lënë të hapur çdo mundësi për të ardhmen.
“Asnjëherë nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Kam kontratë, por vera është gjithmonë e gjatë”, ishte shprehur ai.
Së fundmi, në një intervistë për mediat në Slloveni, Oblak dha një mesazh edhe më të qartë për situatën e tij.
“Nuk dua të mendoj shumë për këtë çështje, sepse gjërat ndodhin kur duhet të ndodhin. Kam kontratë me klubin ku luaj prej 12 vitesh dhe gjithmonë e kam respektuar. Dua të arrij ende disa objektiva me këtë klub që nuk i kam realizuar deri tani”, deklaroi portieri.
33-vjeçari shtoi se ndihet ende në formë të shkëlqyer dhe beson se mund të luajë për disa vite të tjera në nivelin më të lartë.
“Në një moment edhe klubi do të marrë vendime për të ardhmen. Unë besoj se më kanë mbetur ende disa vite në nivel maksimal, sepse ndihem shumë mirë”, tha Oblak.
Pavarësisht interesimit që ka pasur në të kaluarën nga klubet e mëdha evropiane dhe ofertave të vazhdueshme nga Arabia Saudite, portieri slloven ka refuzuar vazhdimisht largimin. Për momentin, topi mbetet në fushën e Atletico Madridit, ndërsa e ardhmja e një prej ikonave të klubit vazhdon të mbetet e hapur./Arbresh.info
Costa u bën thirrje liderëve: Integrimi evropian mbi ndarjet...
Një fluturim nga Beogradi ndalohet në aeroportin e Tivatit, ...
Djali i Afrim Bunjakut bashkohet me 298 kadetë në aksionin h...
Granit Xhaka befason me deklaratën: Dua të bëhem kampion bot...
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, mbërrin në Kiev për një vizitë t...
Nis skriningu neonatal për foshnjat e porsalindura në Spital...