Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka mbajtur një konferencë për media pas takimeve me liderët institucionalë e politikë në Kosovë, ku ka ritheksuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për Kosovën dhe rëndësinë e procesit të integrimit evropian.
Costa tha se Bashkimi Evropian ka investuar miliarda euro në Kosovë dhe është i gatshëm të vazhdojë mbështetjen për vendin.
“Është ndihma më e madhe financiare që është dhënë ndonjëherë. Deri më tani kemi investuar 3.7 miliardë euro në arsim, infrastrukturë, energji, mjedis, biznese, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Dhe jemi të gatshëm të bëjmë edhe më shumë, sepse besojmë se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian”, deklaroi ai.
Duke folur për procesin e zgjerimit të BE-së, Costa theksoi se në rrethanat aktuale globale, zgjerimi është një domosdoshmëri strategjike.
“Në kohë pasigurie globale, gjeopolitike dhe paqëndrueshmërie ekonomike, zgjerimi nuk është vetëm një mundësi, por një nevojë dhe domosdoshmëri gjeostrategjike për Evropën, si investim në paqe, stabilitet dhe siguri të kontinentit tonë. Për këtë arsye, e lavdëroj Kosovën për përafrimin e plotë dhe vullnetar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, që është një sinjal i qartë i orientimit të saj strategjik”, tha Costa.
Ai u bëri thirrje liderëve politikë që integrimin evropian ta vendosin mbi dallimet politike dhe të punojnë së bashku për këtë objektiv.
“Mesazhi im për të gjithë liderët politikë me të cilët u takova sot është i thjeshtë: partneriteti vjen me përgjegjësi. Bashkimi Evropian mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund t’i kryejë detyrat e saj në vend të saj. Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të realizuar reformat dhe për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian”, u shpreh ai.
Costa tha se gjatë takimeve ka inkurajuar të gjithë aktorët politikë që integrimin evropian ta bëjnë prioritet mbi ndarjet politike.
“Në takimet e mia të sotme kam inkurajuar të gjithë aktorët politikë që ta vendosin integrimin evropian përtej ndarjeve politike dhe të punojnë së bashku drejt këtij objektivi të përbashkët”, deklaroi ai.
Presidenti i Këshillit Evropian foli edhe për të drejtat e komuniteteve dhe rëndësinë e zbatimit praktik të standardeve kushtetuese.
“Kushtetuta e Kosovës i njeh dhe garanton të drejtat e të gjitha komuniteteve, përfshirë pakicat. Duhet të sigurohemi që të gjitha këto të zbatohen edhe në praktikë”, tha Costa.
Ai e cilësoi dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si vendimtar për të ardhmen evropiane të të dyja vendeve.
“Dialogu Beograd–Prishtinë është kritik në këtë drejtim. Normalizimi është thelbësor për të ardhmen evropiane si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë. Ka pasur përparim të rëndësishëm dhe duhet të ndërtojmë mbi të, duke siguruar zbatim të plotë të marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi ai.
Në fund, Costa përmendi edhe samitin e ardhshëm të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Në përfundim, samiti i së premtes do të jetë një moment i rëndësishëm, ku udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në Tivat të Malit të Zi. Ai do të jetë një shenjë e qartë e përkushtimit tonë të përbashkët drejt së ardhmes evropiane”, tha ai.
Tragjedia në Shëngjin: Viktimat raportohet se janë nga Kosov...
Stuhitë i afrohen Shqipërisë, pritet të përfshihet edhe Koso...
Terras: Kriza politike ka dëmtuar funksionimin normal të pro...
Komuniteti shqiptaro-amerikan në takim me kandidatin për Kon...
Tragjedi në Shëngjin, dyshohet për të mbytur te “Rana e Hedh...
Po asfaltohet rruga “Agron Rrahmani” në Uglarë, nënshkruhet ...