Një fazë e re e fenomenit natyror klimatik “El Nino” mund të nisë brenda pak javësh, ka paralajmëruar Organizata e Kombeve të Bashkuara, duke rritur temperaturat në një planet që tashmë po përballet me pasojat e ndryshimeve klimatike.
Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) tha se “El Nino” pritet të forcohet gjatë pjesës së mbetur të vitit 2026, duke shkaktuar fenomene më ekstreme të motit në shumë pjesë të botës, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Sipas disa parashikimeve të agjencive kombëtare meteorologjike, ky fenomen mund të jetë një nga më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë, madje mund të arrijë nivelin e një të ashtuquajturi “super El Nino”.
Shkencëtarët kanë monitoruar me kujdes temperaturat në Oqeanin Paqësor qendror, ku formimi i El Nino-s bëhet i dukshëm përmes ngrohjes së ujërave sipërfaqësore.
“Jemi shumë të sigurt se po vjen një ngjarje e madhe. Madje mund të jetë një ngjarje rekord”, tha profesori Adam Scaife nga Shërbimi Meteorologjik i Mbretërisë së Bashkuar (Met Office).
Temperaturat e sipërfaqes së detit në rajonin monitorues të Paqësorit luhaten natyrshëm mbi dhe nën mesataren.
Kur ato rriten me më shumë se 0.5 gradë Celsius për një periudhë të gjatë, krijohen kushtet për “El Nino”.
Kur ngrohja kalon 2 gradë Celsius mbi mesataren, fenomeni klasifikohet si “shumë i fortë” ose “super El Niño”.
Që nga viti 1950 janë regjistruar vetëm disa raste të tilla. Parashikimet sugjerojnë se fenomeni i ri mund të arrijë ose edhe të tejkalojë rekordet e mëparshme.
Një nga arsyet pse shkencëtarët presin një “El Nino” të fortë është ekzistenca e një mase të madhe uji të ngrohtë nën sipërfaqen e oqeanit. Të dhënat nga satelitët dhe pajisjet monitoruese tregojnë se në disa zona temperaturat janë më shumë se 6 gradë Celsius mbi mesataren.
Ngrohja e këtyre ujërave nënujore shpesh paraprin ngrohjen e sipërfaqes së detit, e cila më pas ndikon në temperaturën e ajrit dhe ndryshon modelet klimatike në mbarë globin.
“El Nino do t’i shtojë edhe më shumë energji një bote që tashmë po ngrohet”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.
“Pasojat do të jenë më të rënda, do të përhapen më larg dhe do të kalojnë kufijtë me shpejtësi shkatërruese”, shtoi ai.
Një “El Nino” i fortë zakonisht sjell mot të nxehtë dhe të thatë në pjesë të Amerikës së Jugut, Azisë Juglindore dhe Australisë, duke rritur rrezikun për thatësira dhe zjarre pyjore.
Ai mund të dobësojë gjithashtu musonin indian, të shkaktojë kushte më të thata në pjesë të Afrikës Lindore, ndërsa në jug të SHBA-së mund të sjellë reshje më të dendura dhe rrezik më të lartë për përmbytje.
Ngjarje të mëparshme të “El Nino-s” janë lidhur me rritje të çmimeve të ushqimeve dhe humbje ekonomike që arrijnë qindra miliarda apo edhe triliona dollarë në nivel global, si pasojë e dështimit të të korrave dhe ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit.
Edhe pse kulmi i “El Nino” zakonisht arrihet rreth periudhës së Krishtlindjeve, shkencëtarët theksojnë se është ende herët për të ditur nëse ky do të jetë fenomeni më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë.
Megjithatë, edhe nëse nuk arrin nivelin e një “super El Nino”, pasojat mund të jenë shumë të rënda.
Sipas klimatologëve, viti 2027 ka shumë gjasa të bëhet viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në botë.
Konjufca: Në Prishtinë dje ndihej qartë se këto zgjedhje po ...
Papa Leoni i XIV, emëron për herë të parë një grua laike në ...
Sveçla: Do të fitojmë më shumë se kurrë
Osmani e gatshme të tërhiqet: Emri im s’do shndërrohet në ar...
Sveçla: Po krijohen skenarë që nuk qëndrojnë për Ligjin për ...
Selin dhe Gimbo flasin për raportin e tyre, tregojnë edhe un...