Milani nis revolucionin, nisin takimet për drejtorin e ri teknik dhe trajnerin

10:16 | 2 Qershor 2026
D.H

Milan ka nisur revolucionin për sezonin e ri, pas dështimit në këtë edicion për ta siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.

Pas shkarkimeve të njëpasnjëshme, drejtuesit rosoner kanë nisur kontaktet për postet e reja në klub, shkruan Arbresh.info.

Sipas Gazzetta dello Sport, pritet përgjigjja përfundimtare e Ralf Rangnick për postin e drejtorit teknik të klubit.

Paralelisht, drejtuesit kuqezi po zhvillojnë takime edhe me kandidatët për postin e trajnerit të ri.

Takimi me Oliver Glasner u zhvillua sot, ndërsa brenda nesërmes pritet përgjigjja përfundimtare e Ralf Rangnick për rolin e drejtorit teknik.

Para fundjavës është planifikuar edhe samiti me Matthias Jaissle, kandidati i dytë për pankinën e Milanit, ndërsa i treti mbetet Mauricio Pochettino.

Milani i së ardhmes do të marrë formë pikërisht gjatë këtyre ditëve, ndoshta edhe brenda 48-72 orëve të ardhshme.

Trajneri austriak Glasner ka pasur tashmë një bisedë me Bayer Leverkusen dhe gjithashtu është në radarët e një klubi anglez.

Megjithatë, projekti i Milanit e tërheq shumë. Në takimin me Gerry Cardinale dhe Zlatan Ibrahimović ai do të paraqitet me ide të qarta për skuadrën aktuale, të cilën e ka analizuar gjatë ditëve të fundit me ndihmën e stafit të tij.

Duke qenë se ky është takimi i parë mes palëve, mbetet për t’u parë nëse do të jetë vendimtar. Fakti që është planifikuar edhe një takim me Jaissle lë të kuptohet se biseda me Glasnerin mund të jetë vetëm hapi i parë.

Ish-trajneri i Crystal Palace është i tunduar nga ideja për të punuar në Serie A, ku dëshiron të fitojë trofe, ashtu siç ka bërë në Gjermani dhe Angli.

Sa i përket Rangnickut, Federata Austriake synon t’i ofrojë rinovim kontrate me pagë më të lartë para fillimit të Kupës së Botës, për ta larguar nga interesimi i Milanit. Megjithatë, klubi italian ka bërë tashmë lëvizjet e tij, me një takim në Vjenë dhe një videokonferencë gjatë javës së kaluar.

Tani vendimi është në duart e gjermanit, i cili ka vendosur kushte të qarta: të zgjedhë trajnerin, të përcaktojë filozofinë e lojës në të gjitha nivelet e klubit dhe të sjellë stafin e tij. Ai kërkon gjithashtu liri të plotë në punë dhe nuk dëshiron ndërhyrje nga Ibrahimovići, i cili aktualisht nuk mban një post zyrtar në strukturën sportive të klubit.

Nga Casa Milan theksohet se roli i Zlatanit nuk ka ndryshuar. Ai mbetet partner dhe këshilltar i Cardinales, por nuk ka kompetencë për të zgjedhur drejtorin sportiv, trajnerin apo drejtuesit e klubit. Vendimet përfundimtare, sipas klubit, i takojnë pronarëve dhe strukturës drejtuese.

Ndërkohë, nëse pista Rangnick dështon, një alternativë për drejtimin sportiv mund të jetë Ramon Planes, i cili tashmë ka pasur më shumë se një kontakt me Milanin.

Nga ana tjetër, Al Ahli nuk dëshiron të humbasë Jaisslen. Trajneri gjerman do të takohet me Cardinale dhe Ibrahimović para fundjavës, ndërsa dëmshpërblimi për largimin e tij mund të arrijë në 6-7 milionë euro./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale