Trump i mohon raportimet se bisedimet me Iranin janë ndërprerë

22:06 | 1 Qershor 2026
E.G

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të hënën vonë se përpjekjet diplomatike për të arritur një marrëveshje me Iranin janë duke vazhduar, duke i hedhur poshtë raportimet për ndaljen e bisedimeve.

“Bisedimet po vazhdojnë me ritëm të shpejtë me Republikën Islamike të Iranit”, shkroi Trump, pa dhënë hollësi të mëtejshme.

Reagimi i tij vjen mes pasigurive lidhur me zhvillimin e bisedimeve të hënën.

Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim raportoi më herët se Irani nuk do të merrte më pjesë në shkëmbimin e mesazheve përmes ndërmjetësve, një veprim që dukej se lidhej me shtimin e sulmeve izraelite në Liban ndaj Hezbollahut, aleatit të Iranit.

Hezbollahu është një grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të jugut të Libanit. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërsa Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë vetëm krahun e tij të armatosur.

Ministria e Jashtme e Iranit publikoi një deklaratë ku dënoi ato që i quajti shkelje të armëpushimit nga Izraeli dhe shtoi se Uashingtoni është përgjegjës për “pasojat dhe ndikimet e kësaj gjendjeje”.

Më pas, në një postim tjetër në Truth Social, Trump tha se kishte biseduar si me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ashtu edhe, përmes ndërmjetësve, me Hezbollahun.

“Izraeli nuk do t’i sulmojë ata dhe ata nuk do ta sulmojnë Izraelin”, shkroi ai.

Ndërkohë, të hënën ushtria amerikane tha se kreu rundin e tretë të sulmeve “vetëmbrojtëse” ndaj caqeve në Iran, teksa Teherani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë ndaj Kuvajtit në orët e para të mëngjesit.

Sulmet e reja ndodhën në kohën kur zyrtarët amerikanë dhe iranianë po shkëmbejnë një sërë propozimesh për një kornizë që do të zgjaste armëpushimin e tanishëm edhe për 60 ditë, si dhe mbase do të hapte Ngushticën e Hormuzit dhe do ta hiqte bllokadën amerikane ndaj porteve iraniane./rel

Shpërndaje në rrjete sociale