Kur Thomas Tuchel mori drejtimin e Kombëtares së Anglisë në tetor të vitit 2024, detyra e tij ishte e qartë dhe pa asnjë hapësirë për keqkuptime: të fitojë Kupën e Botës 2026.
Rreth 20 muaj më vonë, Botërori është pranë dhe publikimi i listës përfundimtare të lojtarëve ka treguar edhe një herë madhësinë e sfidës që e pret trajnerin gjerman në Amerikën e Veriut.
Edhe pse Anglia konsiderohet një nga favoritët për triumfin final pas një fushate kualifikuese perfekte, skuadra mbetet ende një enigmë nën drejtimin e Tuchelit.
Që nga dita e parë, Federata Angleze e Futbollit (FA) nuk e fshehu se emërimi i ish-trajnerit të Chelseat kishte vetëm një qëllim: fitimin e Kupës së Botës. Kontrata fillestare e tij ishte planifikuar të përfundonte menjëherë pas turneut, një sinjal i qartë se suksesi apo dështimi i tij do të matet vetëm me rezultatin në Botërorin e vitit 2026, shkruan mediumi i madh anglez, GOAL.
Në kohën e prezantimit të tij, drejtori ekzekutiv i FA-së, Mark Bullingham, deklaroi se federata kishte zgjedhur një staf teknik që i jepte Anglisë shanset më të mira të mundshme për të fituar një trofe madhor.
Vetë Tuchel ishte po aq i drejtpërdrejtë.
“Objektivi është vetëm ai më i madhi në futbollin botëror”, deklaroi ai në konferencën e parë për shtyp.
Në shkurt të vitit 2026, pas një fushate historike kualifikuese, federata vendosi t’ia zgjasë kontratën deri në përfundim të Euro 2028. Megjithatë, gjermani vazhdoi të theksojë se beson plotësisht te mundësia që Anglia të shpallet kampione e botës.
“Po, ne besojmë. E dimë sa e vështirë është, por besojmë se mund të luajmë një rol të madh dhe do të luftojmë për ta fituar”, deklaroi ai.
Nën drejtimin e Tuchelit, Anglia dominoi plotësisht grupin kualifikues me Serbinë, Shqipërinë, Letoninë dhe Andorrën. “Tre Luanët” fituan të tetë ndeshjet, duke mos pësuar asnjë gol gjatë gjithë fushatës.
Përveç rezultateve, skuadra tregoi edhe një identitet të qartë loje. Lojtarë si Elliot Anderson dhe Morgan Rogers u shndërruan në elementë të rëndësishëm të sistemit ofensiv dhe të bazuar në posedimin e topit që kërkon trajneri gjerman.
Megjithatë, pavarësisht statistikave mbresëlënëse, ekzistojnë ende shumë pikëpyetje rreth nivelit real të kësaj Anglie.
Arsyeja kryesore lidhet me rezultatet zhgënjyese në ndeshjet miqësore kundër kundërshtarëve më cilësorë. Në qershor të vitit 2025, Anglia u mposht bindshëm nga Senegali, ndërsa në muajin mars të këtij viti barazoi me Uruguain dhe më pas humbi ndaj Japonisë në ndeshjen e fundit para publikimit të listës përfundimtare për Botërorin.
Këto rezultate kanë ngritur dyshime serioze, pasi Anglia ende nuk ka fituar asnjë ndeshje kundër një kombëtareje të renditur në mesin e 20 më të mirave të botës gjatë periudhës së Tuchelit.
Në fakt, Senegali, Uruguai dhe Japonia janë të vetmet kombëtare të nivelit të lartë që anglezët kanë përballur deri tani dhe nuk kanë arritur të marrin asnjë fitore.
Duket se pikërisht këto paraqitje ndikuan drejtpërdrejt në vendimet e guximshme të trajnerit për përzgjedhjen e skuadrës përfundimtare.
Lista e publikuar nga Tuchel ka shkaktuar debat të madh në Angli. Emra të njohur si Harry Maguire, Trent Alexander-Arnold, Adam Wharton, Cole Palmer, Phil Foden dhe Morgan Gibbs-White kanë mbetur jashtë skuadrës.
Në anën tjetër, ftesa për Dan Burn, Jarell Quansah, Djed Spence, Jordan Henderson dhe Ivan Toney ka habitur një pjesë të madhe të tifozëve dhe analistëve.
Përjashtimi i yjeve si Palmer dhe Foden është konsideruar veçanërisht i diskutueshëm. Të dy lojtarët kanë dëshmuar në të kaluarën se mund të vendosin ndeshje të mëdha me momentet e tyre individuale. Palmer, për shembull, kontribuoi me asist në gjysmëfinale dhe gol në finale gjatë Euro 2024.
Edhe mungesa e Maguire dhe Alexander-Arnold ka ngritur shumë pikëpyetje. Maguire ka përvojë të madhe në turne të mëdhenj, ndërsa Alexander-Arnold konsiderohet një nga lojtarët më kreativë në futbollin anglez.
Megjithatë, Tuchel ka vendosur të ndjekë vizionin e tij dhe nuk ka hezituar të marrë vendime që mund të jenë jopopullore.
Trajneri gjerman është i bindur se grupi që ka zgjedhur është ai që mund t’i japë fund pritjes së gjatë 60-vjeçare të Anglisë për një trofe madhor.
Por me pritshmëritë që janë ngritur në maksimum, presioni mbi të është i jashtëzakonshëm. Për Federatën Angleze, për tifozët dhe për vetë Tuchelin, çdo rezultat tjetër përveç triumfit në Kupën e Botës 2026 do të konsiderohet një dështim./Arbresh.info
Vendimi i Iranit për të ndërprerë negociatat me SHBA, tregje...
Protestat për Zvërnecin/ Rama flet nga Berati: S’po dëmtohet...
Shitjet e fanellave të Gabrielit, rriten 350% pas humbjes së...
Molliqaj kritikon Osmanin: Po fshehet pas Ibrahim Rugovës ng...
“Ka pasur edhe kërcënime” – Hajdari flet për mom...
Haxhiu viziton Klinikën e Pediatrisë në Ditën e Fëmijëve: Fë...