Hoxha me komandantin e KFOR-it: Garanci kyçe për stabilitetin e Kosovës, mbështesim aspiratat euroatlantike të Prishtinës

17:16 | 1 Qershor 2026
E.G

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me komandantin e misionit të KFOR, Gjeneral Major Özkan Ulutaş, gjatë të cilit u diskutua mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe rolin e rëndësishëm të forcave ndërkombëtare në garantimin e stabilitetit në rajon.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Hoxha shprehu vlerësimin e lartë për kontributin që KFOR-i vazhdon të japë në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.

“Shqipëria vlerëson lart rolin jetik që KFOR-i vazhdon të luajë në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë. Ne përgëzojmë të gjitha vendet kontribuese me trupa për angazhimin e tyre të palëkundur, profesionalizmin dhe përkushtimin, të cilat mbeten thelbësore për suksesin e misionit të NATO-s dhe për garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë”, shkroi ministri.

Hoxha theksoi se KFOR-i ka luajtur një rol vendimtar në përballimin e sfidave të sigurisë, veçanërisht pas incidenteve dhe tensioneve të përsëritura në veri të Kosovës. Sipas tij, misioni i NATO-s ka kontribuar jo vetëm në ruajtjen e rendit dhe stabilitetit, por edhe në krijimin e kushteve të nevojshme për dialogun politik, forcimin e institucioneve dhe konsolidimin e paqes afatgjatë.

Hoxha nënvizoi gjithashtu se Shqipëria mbetet një kontribuuese aktive në KFOR, duke marrë pjesë me një kontingjent të konsiderueshëm ushtarak dhe duke mbështetur plotësisht përpjekjet e Aleancës në Ballkanin Perëndimor.

“Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe afrimin gradual të saj me standardet dhe praktikat e Aleancës. Një Kosovë e sigurt, e qëndrueshme dhe demokratike kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ai.

Ministri theksoi se siguria e Kosovës është e lidhur ngushtë me interesat kombëtare dhe rajonale të Shqipërisë, duke shtuar se stabiliteti në Kosovë përkthehet në stabilitet për të gjithë rajonin.

“Siguria e Kosovës është e pandashme nga interesat kombëtare dhe rajonale të sigurisë së Shqipërisë. Stabiliteti në Kosovë do të thotë stabilitet në rajon, ndërsa forcimi i institucioneve të Kosovës, rritja e qëndrueshmërisë së saj dhe avancimi i integrimit ndërkombëtar përbëjnë një investim në paqen dhe sigurinë afatgjatë për të gjithë”, deklaroi Hoxha.

Ai vlerësoi më tej se, prania e KFOR-it mbetet ende e domosdoshme për garantimin e sigurisë në Kosovë, por theksoi se stabiliteti afatgjatë do të varet gjithnjë e më shumë nga forcimi i institucioneve vendase dhe kapaciteteve të sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë. Sipas tij, mbështetja për zhvillimin e këtyre kapaciteteve është thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt, të qëndrueshme dhe të begatë për Kosovën dhe rajonin.

/rtsh.al/