Talenti i Bayern Munich, Erblin Osmani vizitoi FFK-në dhe ndoqi nga afër stërvitjen e Kosovës

16:49 | 1 Qershor 2026
D.H

Gjatë ditës së sotme në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës ka qëndruar edhe talenti kosovar i Bayern Munichut, Erblin Osmani.

Osmani është pritur nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, shkruan Arbresh.info.

Gjithashtu Osmani ishte i pranishëm edhe në stërvitjen e Dardanëve para ndeshjes miqësore me Andorrën, ku u takua edhe me selektorin Franco Foda.

“Sot, në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës, patëm kënaqësinë të mirëpresim futbollistin e ri dhe të talentuar kosovar, Erblin Osmani, pjesë e gjigantit gjerman Bayern Munich.”

“Erblini, i cili ndodhet në Kosovë për pushimet e verës, vizitoi FFK-në dhe ndoqi nga afër seancën stërvitore të Kombëtares së Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke u njohur me punën dhe atmosferën që karakterizon ekipin tonë kombëtar.”

“Vizita e tij është dëshmi e lidhjes së fortë mes talentëve kosovarë që po shkëlqejnë në futbollin evropian dhe rrënjëve të tyre në vendlindje.“

“Erblini është shembull i gjeneratës së re që po e çon emrin e Kosovës në nivelet më të larta të futbollit botëror.”

“Federata e Futbollit e Kosovës i dëshiron Erblin Osmanit suksese të vazhdueshme dhe arritje të mëdha në karrierën e tij”, ka shkruar i pari i FFK-së në llogarinë e tij në Facebook./Arbresh.info