Konaté prek tifozët e Liverpoolit me mesazhin e lamtumirës: Jam i pikëlluar që nuk munda t’ju përshëndes

21:48 | 31 Maj 2026
D.H

Ibrahima Konaté ka reaguar për herë të parë pas konfirmimit të largimit të tij nga Liverpooli në fund të këtij muaji, duke publikuar një mesazh emocional për tifozët e klubit anglez.

Mbrojtësi francez, kontrata e të cilit skadon në fund të qershorit, i dha fund aventurës pesëvjeçare në “Anfield”, duke e cilësuar periudhën te Liverpooli si një nder dhe një nga kapitujt më të rëndësishëm të karrierës së tij.

Francezi kujtoi momentet e bukura dhe të vështira që ka kaluar me fanellën e Liverpoolit, përfshirë fitimin e trofeve, miqësitë e krijuara dhe humbjen tragjike të ish-bashkëlojtarit Diogo Jota.

“Pesë vite më parë erdha si një lojtar i ri me ëndrra të mëdha. Sot po largohem me kujtime që do të më shoqërojnë për pjesën tjetër të jetës sime.”

“Të përfaqësoja këtë klub ka qenë një nder i jashtëzakonshëm. Kemi përjetuar momente të pabesueshme së bashku – ulje dhe ngritje, trofe, sfida, miqësi që do të zgjasin gjithë jetën, por edhe momente të dhimbshme që do të mbeten përgjithmonë me ne. Asnjëra nuk ishte më e rëndë sesa humbja e vëllait tonë, Diogos.”

“Humbja e babait tim këtë vit ishte një nga periudhat më të vështira të jetës sime, por edhe në mes të atyre vështirësive, përkushtimi im ndaj këtij klubi nuk ndryshoi kurrë. Në momentet më të vështira, dhashë gjithçka që kisha për këtë fanellë.”

“Për bashkëlojtarët e mi, trajnerët, stafin dhe të gjithë ata që punojnë prapa skenës, ju falënderoj që më ndihmuat të rritem dhe të përparoj çdo ditë.”

“Dhe për tifozët… faleminderit për dashurinë tuaj, energjinë tuaj dhe mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme. Anfield është vërtet një vend i veçantë dhe të luaja para jush ishte diçka që nuk e mora kurrë si të mirëqenë.”

“Jam thellësisht i pikëlluar që nuk pata mundësinë t’ju përshëndes të gjithëve në ndeshjen e fundit. Në atë moment nuk e dija se ajo do të ishte hera ime e fundit duke veshur këtë fanellë para jush.”

“Nga zemra, ju falënderoj për gjithçka. Ju dua të gjithëve dhe do ta mbaj Liverpoolin me vete kudo që të shkoj.”

“Kjo nuk është një lamtumirë e lehtë, por ka ardhur koha për një sfidë të re dhe një kapitull të ri”, tha ai.

Konate iu bashkua Liverpoolit në vitin 2021, dhe fitoi Premier Leaguen, FA Cup, dy Carbao Cup si dhe FA Community Shield./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale